SBASHK-u: Albin Kurti ka qenë përkrahës i grevës tre javore

  • A.P /
  • 25 September 2022 - 16:35
SBASHK-u: Albin Kurti ka qenë përkrahës i grevës tre javore

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti për deklaratën në lidhje me sindikalistët. Ata thonë se janë sindikalistët e njëjtë që kanë mbajtur grevë edhe në kohë të PAN-it, sipas tyre në atë kohë edhe Kurti ka qenë mbështetës i grevës tre javore që është mbajtur.
 
Kurti sindikalistët, në krye me Rrahman Jasharajn i quajti “sindikalistë të PAN-it, që sipas tij iu “ka ndalur ora” më 14 shkurt, kur edhe VV-ja i fitoi zgjedhjet. Mirëpo sipas SBASHK-ut, Kurti mund të ketë edhe qëllimin që me këto deklarata ta përçajë sindikatën dhe ta vazhdojë grevën.
 
Sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri ka thënë se deklaratat e qeverisë që po bëhen vazhdimisht për grevën janë të gabuara, pasi sipas tij qeveria është fajtore për gjendjen e krijuar.
 
Ymeri tha se përveç pakos kundër inflacionit, nuk kanë ofertë tjetër nga qeveria. Në këtë mënyrë ai tha se nuk ka si të refuzohen ofertat derisa nuk janë ofruar.
 
Po ashtu ai tha se derisa Kurti është kryeministër duhet të bisedojë me sindikalistët dhe jo t’i akuzojë.
 
“Ka dalë ajo e konferencës për shtyp, dhe asnjë ofertë tjetër nuk ka, prandaj s’kemi si t’i refuzojmë ofertat, derisa nuk janë ofruar… Sa i përket asaj se sindikalistët e PAN-it, janë rreth 600 anëtarë të SBASHK-ut, nëse e ka pas fjalën për anëtarësinë e SBASHK-ut dhe ata të gjithë në kohën kur PAN-i i udhëhequr në kohën e Haradinaj, në atë kohë kanë bërë tri javë grevë. Këta sindikalistë janë të njëjtë, të cilët kanë bërë grevë gjatë qeverisë PAN, kur Kurti ka qenë në opozitë, përkrahës dhe mbështetës i madh i këtyre sindikalistëve. Tash derisa Kurti është kryeministër duhet të ulët të bisedojë me sindikalistët dhe jo t’i akuzojë”, tha ai.
 
Ymeri tha se me akuza Kurti nuk mund ta ndalë grevën. Ai tha se pozita në çdo kohë dalin me deklarata që largojnë bisedimet për ta ndalur grevën.
 
“Nuk ka asnjë shans Kurti ta përçajë sindikatën, prandaj metoda e zgjedhur nga Kurti për ta ndërprerë grevën, është e gabueshme, nëse nuk e ka qëllimin për ta vazhduar grevën, mund ta ketë qëllimin për ta vazhduar grevën, por asnjëherë që ta ndalë grevën me këto akuza. Në momentin kur ne mundohemi t’i relaksojmë këto raportet dhe të gjejmë një zgjidhje të mesit për ta ndërprerë grevën, në çdo kohë dalin me deklarata që e largojnë bisedimet”, ka shtuar Ymeri.
 
Ymeri tha se asnjë kërkesë për ta ndalur grevën nuk ka qenë kërkesë politike.
 
Sa i përket propozimit të deputetes, Hykmete Bajrami, për t’u pranuar nga SBASHK-u 50 eurot e ofruara nga qeveria deri më 31 dhjetor me kusht që ligji i pagave të hyjë në fuqi më 1 janar, përfaqësuesi i SBASHK-ut tha se kanë biseduar me anëtarësinë për këtë ofertë, mirëpo sipas tij nuk e kanë pranuar.
 
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik në vend. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë shtesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

(Kosova Sot Online)