Brukseli: Marrëveshja Beograd-Moskë biznes i pazakonshëm

  • A.P /
  • 26 September 2022 - 17:43
Brukseli: Marrëveshja Beograd-Moskë biznes i pazakonshëm

Marrëveshja Serbi-Rusi, për koordinim të politikës së jashtme të këtyre dy vendeve, ka shqetësuar tejmase Bashkimin Evropian. Zyrtarët e saj në Bruksel deklarojnë se janë duke ndjekur nga afër një hap të tillë të Beogradit zyrtar, të cilit ia rikujtojnë se detyrimet që ka ndaj unionit, si vend kandidat për anëtarësim.

Mes këtyre detyrimeve është edhe harmonizimi i politikave të saj me atë të BE-së, përfshirë edhe atë të punëve të jashtme.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, e forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.

I pyetur se cili është qëndrimi i Brukselit në lidhje me këtë marrëveshje Beograd-Moskë, përgjigja e plotë e Peter Stanos është si më poshtë: 

“Ndoshta duhet të filloj përgjigjen time duke dhënë një kontekst sepse kjo po ndodhë tani në këtë kohë, kur Rusia është e përfshirë në një invazion dhe agresion jolegjitim ndaj një shteti sovran, shtetit të vet fqinj,  Ukrainës, dhe ku Rusia në baza ditore shkelë rezolutat e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, e ku forcat e saj të armatosura, po kryejnë mizori ndaj popullit ukrainas. Në lidhje me këtë, vetëm disa ditë më parë Rusia njoftoi për eskalim të mëtejshëm, kur njoftoi me atë që quhet mobilizim i pjesshëm, pastaj referendum ilegal në pjesët e aneksuara të territorit të Ukrainës. Prandaj nëse në këto rrethana shohim se si ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, pajtohet për konsultime te rregullta me ministrin e Punëve të Jashtme të një vendi i cili kryen akte të tilla, është shenjë shumë e qartë e përpjekjeve të tyre për forcimin e lidhjeve, për të vazhduar edhe më shumë me forcimin e lidhjeve mes Serbisë e Rusisë. Kjo ngreh pikëpyetje serioze. BE-ja ka qenë shumë e qartë me vendet partnere e në mënyrë të veçantë me vendet që janë në procesin e anëtarësimit siç është Serbia, një vend kandidat, se lidhjet me Rusinë në rrethana të tilla nuk mund të jenë biznes i zakonshëm, me një regjim që është duke kryer kaq shumë krime dhe kaq shumë mizori. Prandaj ne e marrim këtë me shumë seriozitet dhe do ta ndjekim në vazhdim. Rikujtoj se Serbia me vendim e vet, e ka deklaruar anëtarësimin në BE si prioritetin e  saj strategjik, e përkushtimin ndaj integrimeve në BE, me shpresën që një ditë të bëhet anëtare e BE-së dhe ky vendim i saj, përfshinë edhe harmonizimin dhe zbatimin e politikës së BE-së, përfshirë edhe çështjet e politikës së jashtme”.

Më 23 shtator, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe ai i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, nënshkruan Planin e Konsultimeve të dy ministreve për dy vjetët e ardhshme.

Sellakoviq është në krye të diplomacisë serbe, në Qeverinë teknike, teksa Serbia pritet të formojë një Qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e prillit.

Dokumenti u nënshkrua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

I pyetur nga gazetarët se çfarë përfshin plani dhe çfarë mesazhi i dërgon BE-së, Sellakoviq tha më 25 shtator se “ata që nuk e kanë parë dokumentin, po e sulmojnë të njëjtin”.

“Gjithçka që ka të bëjë me kritikat dhe çështjet lidhur me këtë plan, janë kërkim i arsyeve për të sulmuar Serbinë dhe për ta qortuar”, tha ai.

Sellakoviq deklaroi se Plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë “është nënshkruar që nga viti 1996, çdo dy vjet”, duke theksuar se bëhet fjalë për “çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”.

(Kosova Sot Online)