Abdixhiku zotohet për reforma, parësi debati dhe vota e fshehët

Abdixhiku zotohet për reforma, parësi debati dhe vota e fshehët
Abdixhiku zotohet për reforma, parësi debati dhe vota e fshehët

Idriz Zeqiraj

  • 24 April 2026 - 14:52

 (Vazhdim nga: "Mëkatet e Lidershipit paraprak, barrë e sotme e LDK-së)

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

 Rrëfimi i kryetar Lumir Abdixhikut, në një emision televiziv, ka qenë i sinqertë, deri në qoshet e shpirtit të tij.

 

 - Moderatori: "Bashkëpunëtorët e tu të afërt në Kuvend ju tradhtuan?"

 - Abdixhiku: "Jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij", duke aluduar për kallauzin e lukunisë klanore Isa Mustafën.

 

 Ajo që bëri përshtypje dhe ngjallë shpresën e ringritjes të LDK-së, kryetar Lumiri tha se do ta aktivizojë debatin dhe votimin e fshehtë, për të gjitha nivelet e strukturave të partisë, që nga baza: Aktivat, Nëndegët, Degët e deri në Kryesinë e LDK-së. Partia Demokratike e Shqipërisë, për 36 vjet radhazi këtë model e ka praktikuar.

 

      Po të nisemi nga kriteri i përmendur më lartë, për "të bëmat" e anëtarëve të Kryesisë, pjesë e mëkateve të bollshme, kjo Kryesi është: "Mjerë Selmani i nënës-o, çfarë të qajë më parë!"

 

     Megjithatë, kryetar Lumiri ka bërë thirrje për pajtim të palëve në kundërshti dhe kundërthënie. Dhe kjo i duhet, aktualisht, LDK-së. Fatmirësisht, zgjedhjet e pritshme të LDK-së shtrihen në harkun kohor tej një viti. Komisioni për zgjedhjet në bazë, duhet të përzgjidhet me kujdes, duke mos i përfshirë "mëkatarët", në këtë aksion të shenjtë. Por, edhe duke mos ua mohuar të drejtën për t`u zgjedhur, gjithnjë me debatin e lirë demokratik dhe votën e fshehtë shenjtërore.   

 

     Pra, ky është vendim i zorit, me afat të kufizuar, me qëllim që të ruhet uniteti, sepse brenda LDK-së janë filtruar elementë të PAN-it, të SHIK-ut. Dhe, janë gatshëm për ta ndarë dhe rrënuar LDK-në.

 

     "Ndër këto troje është përzier gjithëfarë ujemi", - shkruan shkrimtari rugovas, Azem Shkreli, në romanin Karvani i Bardhë!

 

     Mendoj  se nuk ka pasur shumë mundësi, hapësirë për të vepruar ndryshe, pra, për t`i përfshirë shumësinë e gardës së vjetër, në dëm të brezit të ri, që meritonte të përfaqësohet më denjësisht.

 

     Edhe për hatërimin e atyre, që kanë mbetur jashtë Kryesisë, duhet pasur mirëkuptim. Sepse kur janë strehuar në Kryesi kaq shumë mëkatarë, "pse të mos jem edhe unë, që jam më pak mëkatarër",- mendojnë ata. Por, kompensime mund të bëhen në struktura tjera partiake. Fundja, askush nuk e ka "me tapi" vendin në Kryesi apo deputet.

 

      Disa lavdërohen, duke i numëruar disa mandate radhazi si deputet! Ky është një uzurpim, disi i dhunshëm, që demoralizon të rinjtë, bollshëm të shkolluar dhe me vullnetin e mirë, për të kontribuar për Kosovën, mendoj, më parësi nga "veteranet". Nga kjo sindromë vuajnë edhe subjektet tjera politike në Kosovë.

 

     LDK-ja dhe LVV nuk kanë deputetë më afera kriminale, siç i ka PAN-i. Ka ndodhur që për disa legjislatura kanë qenë në Kryesinë e Kuvendit persekutori dhe viktima. Dhe pamja ballore e çdoditshme ishte e sikletshme, rrastë provokuese edhe për deputetët në sallë dhe opinionin gjithë shqiptar, të cilët i njihnin, "si paren e kuqe" fytyrat duar përgjakura. 

 

      Emërimet paushalle, pa i fituar në votimin e fshehtë demokratik, bartin dyshimin e bazuar, varësisht në çfarë përmase mund ta kuptojë elektorati. Nëse ka një angazhim të sinqertë, pa bërrylime të palëve të bashkuara në Kryesinë e partisë, shanset për ngritje janë. Në të kundërtën, nëse u jepet hapësirë dostave të PAN-it, në veçanti, të PDK-së brenda strukturave të LDK-së, dështimi i radhës është i parathënë.

 

      Humbjen e thellë të 28 dhjetorit 2025, Lidershipi i LDK-së e ka kërkuar  "me qiri e pishë". Ata që e katapultuan Isa Mustafën në krye të LDK-së, Hashim Thaçi, me SHIK-un se tij, po ata përmes argatëve të tyre në LDK-e, penguan, me saktë, nuk lejuan koalicionin me LVV.

 

      Albin Kurti veproi mençurisht dhe parimisht, kur nuk pranoi në bashkëqeverisje subjektet politike: PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN, me arsyetimin logjik, se "janë të kontaminuara dhe nuk dua ta helmoj Qeverinë time të pastër si loti". Dhe, parimi etik u vlerësua shumë dhe bindi shqiptarët se Kurti ka vendosur --qeverisje me duar të pastra-.

 

     LVV zgjodhi për bashkëqeverisje LDK-në, si motër të pa kriminalizuar, në afera vrastare e hajnore. Por, kolegët në strukturat vendimmarrëse, kryesisht, në Kryesi, komplotuan dhe bojkotuan, qëllimshëm, për ta thelluar humbjen e partisë dhe shkarkimin e kryetar Lumirit. Dhe kjo sjellje është më shumë se fajësi, është krim, sepse kundërshtarët e Lumirit donin ta kthenin krimin në pushtet, përkatësisht, "komandantët" kriminelë!

 

     Prandaj, Kryesia konglomerate, do të jetë shumë problematike, tepër e rëndë për kryetarin aktual të LDK-së, për të bashkëpunuar me puçistët tradhtarë!

 

      Demokracia nuk është emërtesë boshe. Përkundër, ajo bartë në vetvete vlerë sublime, fjalën e lirë. Njerëz të edukuar dhe të shkolluar bollshëm, në demokracitë më të zhvilluara të botës, siç është Amerika e Faton Bislimit apo Franca e Valon Murtezaj, kanë shprehur, publikisht, mendimet e tyre, për daljen nga kriza të LDK-së. Kjo i ka lënduar shefat e LDK-së dhe kanë vendosur të mos i kenë brenda Kryesisë. Ndoshta, edhe nuk janë të gatshëm të jenë pjesë e kësaj katrahure të rrëmujshme, "ku nuk e njeh qeni të zotin", - siç shprehet populli.

 

     Përmenda vetëm dy emra, fort të respektuar nga shqiptarët në Kosovë dhe Mërgatë. Përndryshe, intelektualë të shquar dhe rugovistë të rreshkur, të cilët janë shpërfillur dhe anashkaluar janë numerikë.

 

     Ndonëse u lakua emri im, në vitin 2004, shoku i im i rinisë dhe i klasës, Dr. Rugova, më ofroi postin e zëvendësministrit të Arsimit. Sqaroi edhe kushtet: "Keni pagë mujore 600 marka, veturë dhe shofer në dispozicion. Nuk keni banesë të siguruar në Prishtinë". 

 

     E falënderova për përkujdesjen, duke thënë se me angazhimin në Mërgatë në LDK-e dhe fondet për mbijetesën e Kosovës, si dhe në Emergjencën e luftës, ndjehem i përmbushur. Fatmirësisht, Kosova ka kuadrin e mjaftueshëm, madje me përgatitje solide.

 

     Kryetari i komunës dhe i Degës të LDK-së, me ekipin e tij, më ofroi kandidaturën për deputet. Falënderova, me arsyetimin se brezit të ri duhet dhënë hapësirë edhe në politikë-bërje. Përgjigje të ngjashme dhashë edhe kur ishte fjala për ambasador.

 

     Mërgata nuk është përfshirë në këtë kontingjent të Kryesisë të LDK-së! Mendoj se prania e tyre në këtë strukturë eprore, do të ishte vlerë shtesë, me përvojën dhe frymën emancipuese evropiane.

 

     Kryetari Dr. Ibrahim Rugova, kishte mendimin se "kryetari i komunës duhet të mjaftohet, duke qëndruar në zyrën komunale dhe jo të ngarkohet me punë në Kryesinë e LDK-së". Madje, nuk është e thënë të jetë as kryetar i Degës të LDK-së të komunës. Sepse ai është kryetar i të gjithë komunitetit komunal, pavarësisht përkatësive partiake. Dhe qytetari kur hynë në zyrën e kryetarit të komunës, për halle të veta, duhet të ndjehet se është edhe kryetari i tij dhe jo kryetari i një partie rivale me partinë e tij. Ai duhet të angazhohet në fushatën e zgjedhjeve komunale dhe jo në zgjedhjet partiake. Praktikën aktuale e kanë stimuluar shefat partiakë qendror, për t`ia dërguar delegatët e gatshëm për votë. 

 

     LDK-ja dikur i kishte 15 anëtarë Kryesie, më vonë u bënë 17 dhe tani 34, me tendencë rritjeje, njësoj si AAK, thonë se i ka nja 70 anëtarë kryesie dhe po kaq këshilltarë, edhe pse Ramushi i dinë të gjitha vet dhe nuk pyet askënd! Kryetarët e komunave mund t`i përkasin Kryesisë të Zgjeruar, në takime të veçanta 3 ose 4 herë në vit. Kohë e digjitalizimit dhe mund të mbahen mbledhje elektronike. Janë bjerrje kohe koti dhe shpenzime të panevojshme.

 

     LDK-ja konsiderohet Parti Akademike dhe duhet të jetë shkollë për partitë e tjera në Kosovë dhe Shqiptari. Reforma si këto që përmenda më sipër, duhet marrë seriozisht. Të thirresh në emrin dhe trashëgiminë e Presidentit Rugova dhe në njëjtën kohë të veprosh kundër mësimeve dhe frymës rugoviane, është hipokrizi me yll! Në bisedat e shpeshta me mikun tim të mençur dhe të nderuar, Fadil Ferati, të cilin e vlerësonte shumë Dr. Rugova, më rrëfente shumë porosi të Presidentit urtak, të cilat, pothuaj se, janë harruar edhe nga ata, me të cilët ka bashkëpunuar.

 

     Gjithsekush e njeh mallin e vetë. Andaj, kandidimi klasik, deputetë nga zonat, komunat dhe një votues - një votë, është më serioze, më reale, se sa përzgjedhja e 10 deputetëve, madje një super ngarkesë burokratike numëruese. Është dëshmuar se Kosova me një zonë zgjedhore, kanë "fituar" deputetë, të cilët me votimet, në nivel komune, nuk e kanë arritur kuotën e fituesit. Stili i mbledhjes të votave kudo në Kosovë, është abuziv. Kësaj praktike duhet dhënë fund.

 

     Numërimi i votave duhet të bëhet në njësinë votuese, menjëherë pas përfundimit të votimit. Kjo mënyrë do ta shmangte burokracinë dhe hajninë - njëherësh. Pas këtij numërimi të saktë, me praninë e komisionarëve të subjekteve politike, i dorëzohen KQZ, për ta bërë verifikimin, nëse ka gabime, lëshime. Kështu kursehet në kohë dhe në buxhet.

 

     Renditja emërore e kandidatëve për deputetë, jo alfabetike, me parësi Kryesinë e partisë dhe ish-deputetët, është e padrejtë dhe skajshëm diskriminuese. Renditja alfabetike është më etike, e drejtë dhe  njerëzore. Votuesit e sotëm, pothuaj se, të gjithë janë shkollarë, kush më shumë dhe kush më pak, mjaftueshëm për aq sa kërkohet për votim. Zakonisht, me politizimin e shoqërisë kosovare, votuesi është i përcaktuar, paraprakisht, se ke do të votojë. Dhe emrin e gjejnë, lehtësisht, mbi bazën e germave alfabetike.

 

     Në kuadrin e riorganizimit të LDK-së, Lidershipi duhet të këtë përkujdesje të shtuar, për reforma të thella dhe gjithëpërfshirëse. Kryetari i LDK-së, Dr. Lumir Abdixhiku, në një studio televizive, pas Kuvendit vazhdues të mandatit të tij, ka shpalosur qartë rrugëtimin rugovian të partisë.

 

     Shtrirja organizative e Aktivave, në tërë territorin e Kosovës dhe në Mërgatë, llogaritet të jetë shpresëdhënëse, për ngritjen e shpejtë të partisë. Kthimi i munguar i debatit demokratik dhe i votës së fshehtë shenjtërore, është premtimi i madh i kryetar Lumirit. Duke i dhënë fund aklamacionit, votimit të hapur ultra-komunist, i cili ka mundësuar riciklimin e Lidershipit klanor, përfshirë kryetarin, kryesinë, deputetët, të cilët janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për degradimin, degjenerimin, deri në prag të shuarjes të partisë-Lëvizje, LDK-së, dikur krenare, krijesë hyjnore e Dr. Ibrahim Rugovës. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".