Berisha: Rama kundër Albin Kurtit, kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë

  • A.P /
  • 26 September 2022 - 18:23
Berisha: Rama kundër Albin Kurtit, kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të organizuar në selinë blu, kryetari i PD-së Sali Berisha hodhi akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Edi Rama, ku sipas tij po kërkon të amnistojë krimet serbe në Kosovë.

Sipas Berishës, Rama në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës.

Berisha: Edi Rama në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Nuk bie dakord me Vuçiçin për njohjen e Kosovës, por nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës.

Kërkesën që ai i drejton Vuçiçit publikisht, ndoshta dhe privatisht, për njohjen e Kosovës e ka të miratuar plotësisht nga padroni i tij.

Në fakt, Vuçiçi nuk mërzitet ndonjëherë nga kjo kërkesë, natyrisht ai e shumëzon me zero dhe këtë që ai e shumëzon me zero kërkesën për njohjen e Kosovës, e ka të qartë çdo qytetar i Kosovës, shqiptar, edhe politikanët, por edhe serbët. Me këtë kërkesë, alibi, ai mbulon të gjitha shërbimet, avokatinë që i bën Beogradit, aksit Moskë-Beograd, të gjithë qëndrimin e tij anti shqiptar.

Duke besuar, se vendosur si maskë kërkesën publike ndaj Vuçiçit për njohjen e Kosovës, do të mund ta përdorë për të mbuluar shërbimet e tij ndaj Beogradit, justifikimin e mos zbatimit të sanksioneve nga Beogradi, justifikimin e shndërrimit këto kohë të Serbisë në prapavijë shumë të rëndësishme të Rusisë, defakto ai mbron me ‘Ballkanin e Hapur’, pikërisht këtë bosht, këtë politikë.

Edi Rama në qëndrimin ndaj Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit, shkelmon mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve vetëm në luftën e fundit.

Çfarë je ti zotëri, na thuaj, që kërkon të arkivosh gjenocidin dhe krimet e luftës që ka kryer Serbia në Kosovë. Çfarë autoriteti ke ti përveç skllavërisë ndaj Vuçiçit.

Si mund ta bësh një gjë të tillë. Shpjegojua shqiptarëve, janë 1500 fëmijë të djegur të gjallë, të vrarë, të therur në luftën e fundit.

Në cilin traktat, ligj ndërkombëtar është shkruar që gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit të mos konsiderohen.

Vetëm në vasalitetin tënd ndaj Vuçiçit janë të shkruara këto.

(Kosova Sot Online)