Po bie vlera e Trustit derisa jemi në pritje të vendimit për 30%
Në kohën kur tërheqja e parave nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës është sërish në diskutim, vlera e këtij fondi është më e vogël për disa miliona euro.
Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.
Projektligji që do ta mundësonte këtë, ka dalë në votim në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje – me arsyetimin se “do të shkatërronte strukturën pensionale të shtetit”.
Javën e kaluar, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi ta dërgojë në Qeveri për mendim këtë projektligj, bazuar në një peticion të nënshkruar nga më shumë se 20 mijë qytetarë të Kosovës, i cili i është dorëzuar Kuvendit më 15 korrik.
Nuk është ende e qartë se kur mund të japë Qeveria mendimin. Po ashtu, nuk dihet nëse projektligji do të arrijë sërish në Kuvend.
Në një anketë të mëhershme të Radios Evropa e Lirë, qytetarët pjesëmarrës janë shprehur për dhe kundër tërheqjes së mjeteve.
Ngjashëm shprehen edhe ekspertët e çështjeve ekonomike.
Mbi 160 milionë euro më pak
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë.
Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël për më shumë se 160 milionë euro.
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare.
“Sfidat e performancës së sektorit pensional të Kosovës janë shtuar theksueshëm për vitin 2022”, thuhet në një raport të BQK-së, të publikuar pak javë më parë.
Në muajin maj të këtij viti, disa qytetarë kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar miratimin e ndryshimeve të nevojshme për një tjetër tërheqje të kursimeve pensionale nga Trusti.
Në muajin maj të këtij viti, disa qytetarë kishin protestuar para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar miratimin e ndryshimeve të nevojshme për një tjetër tërheqje të kursimeve pensionale nga Trusti.
Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.
Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kushtet për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare.
(Kosova Sot Online)
