Kapen në një motel në Gjilan 21-vjeçarja nga Serbia dhe një kosovar, arrestohen për prostitucion

  • E.K /
  • 27 September 2022 - 08:45
Kapen në një motel në Gjilan 21-vjeçarja nga Serbia dhe një kosovar, arrestohen për prostitucion

Një fenomen mjaft shqetësues dhe që përbën sfidë për institucionet në Kosovë është prostitucioni.

Kohëve të fundit ka pasur shumë arrestime të grave e burrave që dyshohen për marrje me prostitucion dhe mundësim apo detyrim në prostitucion.

Në të shumtën e rasteve, përveç shtetasve të Kosovës, të dyshuarit kanë qenë edhe me prejardhje nga Shqipëria, raporton Sinjali.

Për një rast të tillë, kanë rënë në prangat e Policisë edhe dy persona, gjatë ditës së djeshme në Gjilan.

Këtë herë, përveç një kosovari, 28-vjeçar, burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se është arrestuar edhe një shtetase e Serbisë, e moshës 21-vjeçare.

I dyshuari E.J., dhe e dyshuara N.G., janë kapur në flagrancë në motelin “Dardania” dhe dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në Prostitucion”.

Pas arrestimit dhe grumbullimit të provave që dëshmojnë përfshirjen e tyre në këtë rast, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor dhe më pas janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit.

Burimet thonë se në lidhje me shtetasen e Serbisë, pritet të njoftohen autoritetet atje për arrestimin e saj.

(Kosova Sot Online)