Gara për drejtor të policisë, Miftaraj: Pak kandidatë, politika nuk e zgjedh më të mirin

  • E.K /
  • 27 September 2022 - 14:11
Gara për drejtor të policisë, Miftaraj: Pak kandidatë, politika nuk e zgjedh më të mirin

Mandatin pesëvjeçar nuk po arrin ta çojë deri në fund asnjë drejtor i Policisë së Kosovës. Samedin Mehmeti dha dorëheqje nga kjo pozitë pas më shumë se një vit e gjysmë që e mbajti atë, paraprakisht ai qëndroi disa muaj edhe si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës pas shkarkimit të Rashit Qalajt, tani deputet i PDK-së në Kuvend. Drejtori Ekzekutiv në IKD Ehat Miftaraj deklaron se ka raste kur drejtorët e policisë i janë nënshtruar politikës.

Samedin Mehmeti ka deklaruar se dorëheqja e tij ka ardhur pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë persona, version që për shumë kë u duk pak i besueshëm.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në një prononcim  tha se Samedin Mehmeti për aq kohë sa ka qenë në krye të Policisë nuk mbahet mend për ndonjë sukses të veçantë.

“Samedin Mehmeti përafersisht 18 muaj sa ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, nuk shquhet për ndonjë sukses apo përmirësim të dukshëm të Policisë së Kosovës. Edhe përkundër faktit se gjatë kohës së tij nuk është ballafaquar me ndonjë skandal, i njëjti nuk do të mbahet mend as për ndonjë sukses të veçantë”, tha Miftaraj.

Tutje, Miftaraj thotë se ishte e vështire të kuptohej nëse shef i policisë ishte Samedin Mehmetaj apo kabineti i ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla. Miftaraj deklaron se Mehmetin e karakterizonte lidershipi i dobët për të mbrojtur pavarësinë e Policisë së Kosovës në aspektin operativ nga politika.

“Ajo çka e karakterizon udhëheqjen e tij, është lidershipi i dobët për të mbrojtur pavarësinë e policisë së Kosovës në aspektin operativ nga politika, ku në shumë raste që lidhen me operacione policore në publik ishte vështirë të kuptohej nëse shef i policisë ishte z. Mehmeti apo kabineti i ministrit Sveçla.   Dorëheqja e tij edhe pse si pretekst kishte marr dhunimin e 11 vjeçares, është vështirë e besueshme se ky është versioni i vërtetë i dorëheqjes së tij”, deklaron Miftaraj.

Ai, tutje, thekson se ka raste kur drejtorët e policisë i janë nënshtruar politikës.

“Sipas Kushtetutës dhe ligjit, në aspektin operativ Policia e Kosovës është plotësisht e pavarur nga politika dhe MPB. Fatkeqësisht, kjo në praktikë nuk është se është respektuar nga të gjitha partitë politikë që nga shpallja e pavarësisë. Në anën tjetër, përderisa, në raste të caktuara ka pasur drejtor të policisë që e kanë mbrojtur këtë pavarësi nga politika, ka edhe raste kur drejtorët e policisë i nënshtrohen politikës”, tha Miftaraj për Gazetën Express.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, shpalli konkurs për emërimin e një drejtori të ri në krye të policisë së shtetit i cili është mbyllur me 21 shtator dhe raportohet se kanë aplikuar vetëm pesë kandidatë. Tani Ushtrues Detyre i shefit të policisë është Fehmi Hoti.

Ehat Miftaraj vlerëson se është për keqardhje për numrin e vogël të kandidatëve që kanë aplikuar për shef të policisë, duke theksuar se politika nuk e emëron gjithmonë më të mirin.

“Përderisa, Policia e Kosovës ka numër të madh të zyrtarëve me përvojë dhe ekspertizë për të kandidatuar për pozitën e të parit në Policinë e Kosovës, është për keqardhje që për këtë pozitë aplikojnë një numër kaq i kufizuar. Kjo mund të jetë edhe si rezultat i përvojave të mëhershme ku politika nuk emëron gjithmonë më të mirin”, përfundoi Miftaraj.

Në mesin e pesë aplikantëve për të parin e Policisë së Kosovës raportohet se është edhe një grua. Bëhet fjalë për Sllagjana Stojanoviq, drejtoreshë e administratës në Mitrovicë.

Image

Drejtori i Teknikës Kriminalistike, Bahri Shala.

Image

Drejtori i Departamentit të Operacioneve, Gazmend Hoxha.

Image

Ish-drejtori i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar, Fatos Haziri.

Si dhe Granit Fetahu, drejtor për Sigurimin e Objekteve dhe Personaliteteve.

Kjo pozitë parasheh mandatin prej pesë vitesh me mundësi të vazhdimit pas çdo pesë vjetëve nga autoriteti që e emëron. 

(Kosova Sot Online)