Po dyshojnë për shkelje të rënda në rastin e Astrit Deharit, MD pezullon nga puna kryeinspektorin

  • E.K /
  • 28 September 2022 - 11:12
Po dyshojnë për shkelje të rënda në rastin e Astrit Deharit, MD pezullon nga puna kryeinspektorin

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, sot Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin nga puna të Kryeinspektorit të Inspektoratit, Ylber Topalli.

Procedura disiplinore ndaj z. Topalli është iniciuar për pretendimet e shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e ngjarjes së Astrit Dehari, që kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.

Me këtë rast, pas konstatimit të gjetjeve të Raportit të cilat i kemi proceduar edhe në Prokurori të Shtetit, bëjmë thirrje dhe theksojmë nevojën e vazhdimit të procedurave hetimore për trajtimin e mëtutjeshëm të të gjitha rrethanave deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

(Kosova Sot Online)