Bislimi shton aktivitetin me takime e pritje zyrtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të hënën drejt Japonisë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të politikanit Shinzo Abe i cili u vra derisa po fliste në një tubim me qytetarë. Kurti është kritikuar për këtë udhëtim dy ditor, meqë situata në Kosovë s’është fare e mirë, me grevën një mujore në arsim, krizën energjetike dhe inflacionin që ka tkurrur xhepat e kosovarëve.
Kjo mungesë e Kurtit ka krijuar hapësirë për “dyshin” e Qeverisë, Besnik Bislimin , i cili ka rritur aktivitetin e tij me takime e pritje zyrtare.
Menjëherë pas udhëtimit të Kurtit për në Japoni, Bislimi ka pritur në Qeveri, shefin e Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë, Agim Gashi, të shoqëruar nga Martina Fava, Koordinatore për Personat e Zhdukur dhe Familjet e tyre në Ballkanin Perëndimor.
Temë qendrore e takimit ka qenë çështja e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkohë të martën, Bislimi në cilësinë e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, ka pritur në takim kryetarin e Parlamentit të Landit të Austrisë së Ulët, Karl Ëilfing, shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser, deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner, zëdhënësi Christoph Fuchs, Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendës ambasadori Martin Schaller.
Në këtë takim me austriakët, Bislimi i ka çelur të gjitha temat më të rëndësishme që ndërlidhen me vizat, aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Gjithashtu është diskutuar për zhvillim ekonomik, sundimin e ligjit, demokratizimin, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tema më specifike kanë qenë edhe kriza energjetike dhe inflacioni.
Të martën pasdite Bislimi ka marrë pjesë edhe në “Konferencën Rajonale të Misioneve Norvegjeze në Evropën Juglindore”.
Ndërkohë të enjten në orën 11:00 numri dy i Qeverisë së Kosovës do ta presë në takim kryediplomatin e Republikës së Çekisë Jan Lipavský.
Pas takimit, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Ministri i Jashtëm Lipavský, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.
Lipavsky vjen në Kosovë kur edhe po flitet për një angazhim të madh të shtetit çek për ta shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave. Gjithçka pritet të nis me 13 tetor, kur edhe pritet t’i dorëzohet Raporti i Komisionit Evropian grupit Punues për Visa e i cili grup më pas pritet ta shtyjë përpara drejt këshillit të ministrave, ku edhe bëhet vendimarrja.
(Kosova Sot Online)
