Haxhiu e përmend edhe ish-ministren Dhurata Hoxha në rastin Dehari

  • G.G /
  • 29 September 2022 - 13:15
Haxhiu e përmend edhe ish-ministren Dhurata Hoxha në rastin Dehari

Edhe sot në Kuvendin e Kosovës është diskutuar rreth vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari që ndodhin ë qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke folur për rastin e përmendi disa herë ish-ministren, Dhurata Hoxha.

Ajo u shpreh se zyrtarë të ministrisë i kanë thënë se ka qenë pikërisht ministrja Hoxha atëkohë që kishte urdhëruar marrjen e kamerave të sigurisë para policisë.

Ministrja konfirmoi se rasti Dehari tanimë ka kaluar në duart e Prokurorisë Speciale derisa shtoi se gjithë personat përgjegjës që se kanë kryer punën siç duhet do të hetohen, përfshirë ministren Hoxha.

“…Ndërsa sa i përket epilogut për zbardhjen e rastit Dehari, më lejoni të ju njoftojë që ky rast aktualisht është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Dhe së fundmi, pas disa informacioneve që kemi pranuar si Ministri e Drejtësisë si ministre kam urdhëruar një inspektim në raport me atë se cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave përgjegjës atë ditë dhe a janë kryer përgjegjësit e personave përgjegjës në përputhje me legjislacionin dhe me kompetencat”, deklaroi ministrja.

“Pra gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para policisë, kjo është e paprecedente dhe është shkelje penale. Po ashtu kamerat kanë mundur nga zyrtarët përgjegjës të shihen pasi që ato të merren nga policia por jo të merren sipas informacioneve që unë kam marrë dhe kjo duhet të dëshmohet në prokurori, mirëpo nga zyrtarë të ministres më është thënë që këto janë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës – ish ministres së Drejtësisë”, tha ministrja përcjell Insajderi.

“Personat që janë suspenduar tash nga Komisioni Disiplinor duhet ta thënë këtë para Prokurorisë Speciale pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë të paligjshme dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për këtë ka urdhëruar ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha. Nëse po, atëherë barra e përgjegjësisë bie tek Dhurata Hoxha”, ka thënë Haxhiu.

(Kosova Sot Online)