Hartimi i statutit të Asociacionit në Beograd, Bislimi: S’ka vlerë për ne

  • E.K /
  • 29 September 2022 - 13:46
Hartimi i statutit të Asociacionit në Beograd, Bislimi: S’ka vlerë për ne

Zëvendëskryeministri i Kosovës, i cili është edhe kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, është deklaruar për raportimet e mediave serbe që thanë se dy organizata joqeveritare janë angazhuar për të hartuar draft-statusin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Ai tha se OJQ-të janë të lira të vijnë me ide dhe drafte, por se këto nuk i përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të Kosovës.

“Jam zëvendëskryeministër i Kosovës, nuk jam në gjendje dhe as s’e kam për qëllim që të kontrolloj çka bëjnë OJQ-të në Serbi.  Të gjithë janë të lirë të hartojnë drafte e strategji, por ato nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare. Ne i shohim si të pavlera”, tha Bislimi në një konferencë për media.

Më herët, mediumi i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “Novosti”, karaportuar se në Beograd është hartuar ky draft nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert Stiftung” (FES) dhe Instituti Europian për Paqe (EIP), i cili, siç u tha në artikull, më pas do të rishikohet nga OJQ-të e Kosovës dhe Serbisë dhe si i tillë do t’i prezantohet ndërmjetësit europian, Miroslav Lajçak.

Ky medium, duke cituar burimet nga qarqet diplomatike, thotë se për këtë qëllim është organizuar një takim në Beograd, në ambientet e “Aeroklub”, të martën, në të cilin morën pjesë përfaqësues të OJQ-ve të Kosovës dhe Serbisë, misione ndërkombëtare nga Kosova, si dhe diplomatë gjermanë. Atyre iu prezantua drafti i statutit të ardhshëm të Asociacionit, për të cilin mund të bënin komente dhe sugjerime. Pala serbe u përfaqësua nga Milica Andriq Rakiq, Jovana Radosavljeviq, Aleksandar Rapajiq, si dhe Aleksandra Spremo nga Beogradi, nga JUKOM.

“Novosti” shkruan se dokumenti i përmendur nuk ka për qëllim publikimin, por për t’u bërë pjesë e procesit të negociatave pas ngritjes së kundërshtimeve, “d.m.th. për të negociuar me Qeverinë e Kosovës dhe qeverinë serbe dhe pastaj ta ndahet me një palë e tretë, por nuk është saktësuar se cila është kjo palë”.

Mediumi serb pretendon se pala e tretë do të jetë Gjermania, për të cilën shkruan se është e përfshirë drejtpërdrejt në proces përmes FES-it dhe thotë se në takim u tha se Berlini zyrtar është i hapur për sugjerime.

“Në bazë të draft-statutit të paraqitur, përfaqësuesit e OJQ-ve, ndër të tjera, kishin dilemë nëse Asociacioni është person juridik apo duhet të jetë organ shtetëror. Ata shprehën frikën e tyre se serbët do të kishin edhe më pak të drejta sipas këtij drafti sesa ato që u jepen aktualisht nga e ashtuquajtura Kushtetuta e Kosovës. Ata i ka shqetësuar edhe fakti se teksti thekson se gjithçka duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese atje tashmë ka deklaruar se Asociacioni nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik. Më pas, kritikat e paraqitura në takim, sipas një vlerësimi objektiv, duhet të përfshihen në draftin përfundimtar të statutit të Asociacionit, i cili do të përgatitej nga “Friedrich Ebert” dhe Instituti Europian për Paqe dhe i cili përfundimisht do t’i dërgohej Lajçakut për përdorim dhe ofertë të mëtejshme palës serbe dhe asaj shqiptare në dialog”, raporton “Novosti”.

(Kosova Sot Online)