Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimir takon Vuçiqin, temë diskutimi dialogu Kosovë-Serbi

  • G.G /
  • 30 September 2022 - 13:52
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimir takon Vuçiqin, temë diskutimi dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë temë e takimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe emisarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, njoftoi presidenca serbe përmes një komunikimi për shtyp.

Vuçiç dhe Sarrazin, sipas komunikatës, u pajtuan rreth vazhdimit të dialogut të lehtësuar nga Brukseli ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa Vuçiç shton se “Serbia do të vazhdojë të ruajë integritetin e saj territorial dhe sovranitetin në konsistencë me të drejtën ndërkombëtare”.

Gjithashtu, bëhet e ditur, se temë e bisedimeve ka qenë edhe rëndësia e samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit, e cila pritet të mbahen në nëntor të këtij viti.

Një tjetër takim Vuçiç ka pasur edhe me delegacionin e parlamentit evropian, të cilët kohëve të fundit u raportua se do të propozojnë pezullimin e negociatave të Serbisë me BE-në deri në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Zhvillova një takim të hapur dhe të sinqert me Vladimir Bilçik [raportuesi për Serbinë në PE] dhe Matjazh Nemec rreth të gjitha çështjeve të vështira, për të cilat jo gjithherë pajtohemi, dhe anëtarët e PE-së më njoftuan rreth disponimeve në Bruksel për politikat që ndjek Serbia”, thuhet në komunikatën e presidencës serbe.

Aleksandër Vuçiç deklaron se Serbia mbetet në rrugë evropiane, “por si shtet i pavarur dhe sovran që merr vendimet e saj në bazë të interesave të shtetërore dhe kombëtare”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)