Ja kur fillon regjistrimi i popullsisë

  • A.P /
  • 30 September 2022 - 20:40
Ja kur fillon regjistrimi i popullsisë

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të fillojë më 1 shtator të vitit 2023 dhe do të zgjas deri më 16 tetor 2023.

Qeveria e Kosovë ka miratuar këtë propozim-vendim për periudhën kohore të regjistrimit të popullsisë në mbledhjen e sotme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se regjistrimi i popullsisë është njëri ndër projektet më të rëndësishme.

“Regjistrimi i popullsisë është njëri ndër projektet me rëndësinë më të madhe. Është e nevojshme të miratojmë datën për fillimin dhe përfundimin. Përgjegjëse është Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kemi paraparë afat një muaj e gjysme prej 1 shtatori deri më 16 tetor 2023” – tha Kurti.

Në korrik të këtij viti, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Me këtë ligj do të rregullohet mënyra e organizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.

Ky ligj gjithashtu rregullon shtrirjen territoriale të regjistrimit të popullsisë, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tërësi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.

(Kosova Sot Online)