Gjurmët e dhimbshme që kanë lënë pas rusët në zonat e pushtuara

  • A.P /
  • 30 September 2022 - 21:19
Gjurmët e dhimbshme që kanë lënë pas rusët në zonat e pushtuara

Të paktën njëmbëdhjetë civilë u gjetën të vdekur në një rrugë, me gjurmë plumbash, pas tërheqjes së forcave ruse nga rajoni i Kharkiv, siç zbuloi sot një grup gazetarësh të AFP.

Sipas ushtrisë ukrainase, e cila zbuloi makinat e civilëve si dhe disa trupa të djegur, rusët sulmuan një autokolonë.

Një zyrtar separatist pro-rus akuzoi ushtrinë ukrainase të enjten se hapi zjarr ndaj një kolone civilësh në rajon, duke vrarë 30 persona. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera.

Autokolona e parë nga AFP sot ishte në një rrugë që fillon nga fshati Kirilifka, i cili është 70 kilometra në lindje të Kharkiv. Trupat janë ende aty, në ose pranë gjashtë makinave. Një minibus u dogj plotësisht dhe katër trupa të djegur mund të shihen në sediljet – duke përfshirë një që duket të jetë një fëmijë i vogël.

Pak larg, pranë një makine Lada ngjyrë krem, me bagazhin e hapur, qëndron një burrë i veshur me një kapele dhe xhinse.

Në sediljen e pasme të një makine blu, një plakë e vdekur, e mbështjellë me pallton, duket sikur është në gjumë të thellë. Makinat lëviznin së bashku, në një kortezh.

Në fillim të shtatorit, ushtria ukrainase kundërsulmoi në Ukrainën lindore dhe jugore, duke rimarrë zona të mëdha, kryesisht në rajonin e Kharkovit, ku i takon administrativisht Kirillivka.

Rusët u larguan nga ky fshat në fillim të javës së kaluar. Për shkak të vështirësive që hasën, ushtarët rusë u tërhoqën në lindje, në bregun e kundërt të lumit Oskil, por edhe ukrainasit arritën të kalonin në anën e kundërt, duke arritur një fitore të rëndësishme për Kievin.

(Kosova Sot Online)