Polici serb: E kam mësuar gjuhën shqipe

  • A.P /
  • 02 October 2022 - 09:04
Polici serb: E kam mësuar gjuhën shqipe

Bazuar në një marrëveshje Kosovë-Serbi Policia e Kosovës ka integruar në radhët e saj ish-punonjës të strukturave paralele serbe. Shpërndarja e tyre në detyrë bëhet zakonisht në vendbanimet me shumicë serbe.

Prej më shumë se 22 vitesh që nga themelimi i saj, Policia e Kosovës nuk është ballafaquar asnjëherë me çështje disiplinore të brendshme, të cilat të kenë pasur si motiv problemet ndëretnike. Policia e Kosovës në përbërjen e saj ka pjesëtarë nga të gjitha pakicat etnike një pjesë e mirë e tyre edhe nga komuniteti serb.

Rreshteri i policisë, Boban Simonoviq, vjen nga komuniteti serb dhe është pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga nëntori i vitit 2000. Ai punon në Stacionin Policor në Graçanicë deri më vitin 2019. Në këtë stacion punojnë zyrtarë policorë të etnive të ndryshme.

Raportet ndërnjerëzore në Policinë e Kosovës

Me një shqipe të rrjedhshme Simonoviq tregon se gjatë këtyre viteve ka punuar së bashku me kolegët shqiptarë dhe thote se raportet janë të shkëlqyera me të gjithë kolegët e të gjitha komuniteteve.

Rreshteri i policisë, Boban Simonoviq, pjesëtar i Policisë së Kosovës

“Gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera me kolegët e mi, gjë që më ka ndihmuar në zgjerimin e njohurive profesionale për kryerjen e detyrës policore lehtësisht, duke e njohur mentalitetin e komuniteteve që u shërbej, në ofrimin e sigurisë.”

Gjuha shqipe ndihmë e madhe

Rreshteri i policisë Boban Simonoviq shton edhe se gjuha shqipe e ka ndihmuar në të gjitha aspektet jetësore.

“Kam lindur në Prishtinë, ku kam jetuar deri në vitin 1999. Aty kam mësuar gjuhën shqipe dhe kjo më ka ndihmuar shumë në komunikim me kolegët dhe qytetarët, në situata të ndryshme, gjatë punës time profesionale. Gjatë këtyre viteve të punës në Policinë e Kosovës, kam krijuar miqësi të madhe me kolegë të të gjitha komuniteteve që janë pjesëtar të PK-së, dhe ata më kanë ndihmuar shumë si profesionalisht, ashtu edhe privatisht”, tregon Simonoviq.

(Kosova Sot Online)