Ramiz Lladrovi i reagon Arbërie Nagavcit

  • E.K /
  • 04 October 2022 - 14:39
Ramiz Lladrovi i reagon Arbërie Nagavcit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se komunat nuk i kanë dërguar listat e pagave në Thesar.

Por, sipas kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ministrja nuk është e informuar saktë për mënyrën e dërgimit të listave dhe ekzekutimit të pagave për punëtorët e arsimit.

“Duke u bazuar në deklaratën e znj. Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për fat të keq, shihet që e njëjta nuk është e informuar saktë më mënyrën e dërgimit të listave, dhe ekzekutimit të pagave për punëtorët e arsimit”, thotë ai.

Lladrovci thekson se çështja e pagave është kompetencë e Komunës, ndërsa Thesari, respektivisht Ministria e Financave, bën vetëm ekzekutimin e pagave dhe jo ndalimin e tyre, pasi në këtë mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Nëse i referohemi Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjeve tjera të aplikueshme, çështja e pagave është kompetencë e Komunës, ndërsa Thesari, respektivisht Ministria e Financave, bën vetëm ekzekutimin e pagave dhe jo ndalimin e tyre, ndërsa të njëjtit me rastin e ndalesës, kanë vepruar në kundërshtim me ligjet e aplikueshme”, deklaron kryetari i Drenasit.

Si dëshmi të veprimit në kundërshtim me ligjin ai përmend edhe faktin se pagat nuk i janë ekzekutuar as mësimdhënësve lehona apo që janë në pushim mjekësor.

“Një dëshmi tjetër që është vepruar në kundërshtim me ligjin, e dëshmon fakti se edhe mësimdhënësve që janë në pushim të lehonisë, apo pushim mjekësor, u është ndaluar paga”, shton ai.

Lladrovci potencon se komuna që ai udhëheq i ka dërguar në Thesar të gjitha ndryshimet me datën 9 shtator.

“Ndërsa, sa i përket dërgimit të listave të pagave për punëtorët e arsimit, Komuna e Drenasit me datë 09.09.2022, pra brenda afatit ligjor, i ka dërguar në Thesar të gjitha ndryshimet e nevojshme për të cilat është e obliguar në bazë të ligjit”, thotë Ramiz Lladrovci.

(Kosova Sot Online)