A po jep edhe Haki Abazi sinjale se është kundër vendimit të Qeverisë për mos ekzekutimin e pagave?

  • E.K /
  • 04 October 2022 - 15:10
A po jep edhe Haki Abazi sinjale se është kundër vendimit të Qeverisë për mos ekzekutimin e pagave?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, duket se ka dhënë “sinjale” se do të jetë kundër Qeverisë dhe partisë së tij sa i përket çështjes së pagave për grevistët gjatë muajit shtator.

Përmes një statusi , Abazi ka paralajmëruar se që nga fundi i javës së ardhshme do të mbajë konferencë për shtyp lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet e tij për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi.

E ndër të tjerash, deputeti i VV-së ka uruar që deri të premten të përmbyllet debati për pagat, duke dhënë kështu “sinjale” se është kundër vendimit të Qeverisë dhe qëndrimit të partisë së tij për mos ekzekutimin e pagave për muajin shtator për grevistët.

Kujtojmë se mos ekzekutimi i pagave për muajin shtator për grevistët ka nxitur reagime të shumta, teksa kundër këtij vendimi janë shprehur edhe disa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Postimi i plotë i Abazit:

Të nderuar miq, gazetarë dhe të dashur qytetarë:

Në kuadër të intensifikimit të punës dhe angazhimeve në kryerjen e obligimeve si deputet, ju njoftoj:

Që nga fundi javës së ardhshme saktësisht nga ora 10:00, të premten në kapacitetin e Deputetit të Parlamentit të Kosovës dhe përfaqësuesit të votës qytetare, do të mbaj konferencë për shtyp lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi ynë.

Këtë të Premte do të paraqitem për çështjet dhe zhvillimet në Politikën e Jashtme dhe çështjet lidhur me energjinë dhe krizën energjetike dhe rolin dhe hapësirën për deputetin. Uroj deri të premten debati për pagat të përmbyllet.

Pas paraqitjes së pikëpamjeve dhe qëndrimeve do të jam në dispozicion për pyetjet.

(Kosova Sot Online)