Kica: Kisha takime dy-orëshe me Kurtin e Osmanin

  • A.P /
  • 04 October 2022 - 22:15
Kica: Kisha takime dy-orëshe me Kurtin e Osmanin

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se i ka informuar në kohë për lëvizjen e saj nga Guxo në LDK presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo ka thënë se ka pasur takime dy-orëshe me ta.

Ajo ka thënë se ka ndjerë përgjegjësi që të flas me të dhe t’u tregoj për pakënaqësitë dhe mospajtimet që kishte me partinë Guxo dhe orientimin e politikave qeverisëse në përgjithësi.

Ajo ka thënë se këto takimet i kishte zhvilluar para se të shkonte për pushime të verës.

“Kur dhashë dorëheqje, jam takuar me të dy, pavarësisht që Kurti s’ka të bëjë asgjë me Guxo e as presidentja tanimë. Megjithatë, e kam ndjerë përgjegjësi të flas me ta dhe t’u tregoj që nuk e di nëse kam vullnet që të merrem me politikë më, e nëse po, do të bëj një lëvizje. Kam takuar dy orë me secilin. Kam ezauruar cdo lloj diskutimi”, ka thënë Kica-Xhelili 

Deputetja ka thënë se me t’u kthyer nga pushimi, i ka njoftuar të dy për vendimin e saj. Ajo ka thënë se ka pasur komunikim intensiv, por ka refuzuar të tregojë se çfarë përgjigjesh ka marrë nga Osmani e Kurti kur i ka njoftuar me vendimin e marrë.

“Më kanë kërkuar që të qëndroj pasi të kthehem nga pushimi. Menjëherë ia kam sqaruar zonjës Osmani vendimin tim, e po ashtu edhe Kurtit pas katër ditësh. Ata kanë qenë të njoftuar para vendimit tim.  Ua kam treguar pozicionin tim që të kaloj në LDK. Nuk dua të lëshohem më shumë në takimet që i kam pasur me të dy”, ka deklaruar Kica-Xhelili.

(Kosova Sot Online)