Propozimi i Elon Musk, dëm apo promovim për Kosovën?

  • A.P /
  • 04 October 2022 - 22:36
Propozimi i Elon Musk, dëm apo promovim për Kosovën?

Derisa lufta në Ukrainë vazhdon, bota është në kërkim të një përfundimi paqësor.

Kjo ishte arsye që një ndër personat me ndikimin më të madh në rrjete sociale, Elon Musk, ta bëjë pjesë të agjendës së tij luftën që po ndodh në Ukrainë.

Inxhinieri Musk e krijoi një anketë në Twitter ku sugjeroi se personat që jetojnë në Donbas dhe Krime duhet të vendosin se a janë pjesë e Rusisë apo Ukrainës.

Këtu, ai e ngriti një paralele edhe me situatën në Kosovë që lidhet me komunitetin shqiptar e atë serb.

Këtij sugjerimi i dolën menjëherë kundër diplomatët e njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Edhe ish kryediplomati Enver Hoxhaj, pati një përgjigje për të, duke thënë që Musk kësisoj i shërben Rusisë.

Sipas Hoxhajt, është e pamundur të krahasohet shpërbërja sovjetike me atë jugosllave.

Si do që të jetë, ai thotë se ky postim i Musk mund të ketë ndikim negativ në opinion.

Ndryshe nga politikani Hoxhaj, krejtësist negative nuk e shohin këtë zhvillim njohësit e rrjeteve sociale.

Njëri nga ta, Drilon Jaha thotë se duke e konsideruar ndikimin e Elon Musk në rrjete sociale, kjo mund të shërbejë për promovimin e Kosovës.

Madje bazuar në fuqinë e Musk në këtë fushë, Jaha e nisi edhe një fushatë që të ketë një bisedë me Elon Musk në Twitter.

Edhe pse postimi i Musk nxiti reagime të shumta nga njohësit e diplomacisë, nga Ministria e Punëve të Jashtme, nuk pati asnjë reagim.

(Kosova Sot Online)