Çmimet e larta të peletit e drunjve? AKK thotë se po e“mbikëqyr” tregun

  • E.K /
  • 05 October 2022 - 12:00
Çmimet e larta të peletit e drunjve? AKK thotë se po e“mbikëqyr” tregun

Lëndët që përdoren për për ngrohje si peleti dhe drunjtë kanë shënuar rritje të dukshme çmimi, duke i shtuar ankesat e qytetarëve, të cilët përditë po paralajmërohen se sivjet do t’i kenë keq punët me rrymë.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), i ka thënë Express se nga muaji gusht kanë filluar hetime për kurdisjen eventuale të çmimeve.

AKK nuk ka treguar se kur do të mbarojnë këto hetime.

 “Kryetarja e Autoritetit Znj. Neime Binaku Isufi, gjatë muajit gusht ka autorizuar, Departamentin për Mbikëqyrjen e Tregut, të bëjë shqyrtimin paraprak, për produktin e peletit, dhe disa produkteve qe lidhen me çështjen e energjisë, pas ngritjes së çmimeve në tregun e Republikës se Kosovës, me theks për konstatimin e gjendjes në tregun relevant (të prodhimit dhe importit) të produktit të Peletit për dy vite, 2021 dhe 2022, transparencën, pjesëmarrësit e tregut, dhe shkallën e përqendrimit të këtij tregu relevant.

Të gjitha format që konsiderohen shtrembërim apo kufizim i konkurrencës në tregjet përkatëse, nga operatorët ekonomikë që operojnë në këto tregje, do të jenë objekt i shqyrtimit nga Komisioni për mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në përgjigje.

Por nuk ka siguri që çmimet nuk do të rriten akoma – pos të ndikuara nga çrregullimi i tregut ndërkombëtare, ka dyshime edhe për “shfrytëzim të situatës”, siç është raportuar.

E për dimrin që po vjen AKK ka thënë se do ta zbatojnë ligjin për ta mbrojtur konkurrencën.

“Autoriteti zbaton  ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës, gjatë tërë vitit kalendarik”.

Për një vit Autoriteti i Konkurrencës ishte pa komision, që nënkupton pa duar për të ndëshkuar abuzuesit potencialë.

Tash thonë se po e zbatojnë strategjinë e tyre për ta mirëmbajtur konkurrencën.

“Autoriteti i konkurrencës e ka të miratuar,  Planin e veprimit  të performancës për vitin 2022. Qëllimi i Planit të veprimit është përcaktimi i mekanizmave për të respektuar afatet dhe procedurat në mënyrë që të realizohen qëllimet operative. Rëndësia tjetër e planit të veprimit është funksioni i tij, i cili është si udhërrëfyes i rëndësishëm përcaktues për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të përcaktuara me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Ligj ky i cili është i mbështetur në tri shtylla kryesore që përcaktojnë mbrojtjen e konkurrencës”.

AAK i përgjigjet Kuvendit të Kosovës dhe funksioni i saj i mundësohet me aktet më të larta juridike.

Në bazë të nenit 10 të Kushtetutës së Kosovës, vendi identifikohet me ekonomi të tregut.

Një nga kushtet e ekonomisë së tregut është edhe konkurrenca e lirë, poqë ndalohet abuzimi me të – e sidomos marrëveshjet sekrete në mes kompanive.

Çmimet janë rritur në secilin sektor, madje Banka Botërore e jep shifrën 19 për qind për ta treguar inflacionin e lartë në vend.

Ndërkaq paga mesatare nuk ka lëvizur, mbetet në 416 euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.  

(Kosova Sot Online)