Kurti: Qeveria është e përkushtuar për aftësim e punësim

  • A.P /
  • 05 October 2022 - 15:45
Kurti:  Qeveria është e përkushtuar për aftësim e punësim

Është përmbyllur sot projekti i zbatuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit me ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrësve mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë, nga i cili kanë përfituar përvojë të punës praktike në institucione të reja e të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Kurti ka thënë se rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave qeveritare e në angazhimet publike, sepse sipas tij zhvillimi i ardhshëm varet shumë prej asaj se si i ndihmojmë dhe trajtojmë rininë.

Kryeministri ritheksoi se Qeveria  është e përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim, me politika të ndryshme, siç është ajo e lansuar gjatë verës “një i punësuar në çdo familje”. Ashtu që asnjë familje në vendin tonë të mos ngelet pa e pasur së paku një të punësuar.

“Qeveria jonë është e përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim, me politika të ndryshme, siç është ajo e lansuar gjatë verës “një i punësuar në çdo familje”. Ashtu që asnjë familje në vendin tonë të mos ngelet pa e pasur së paku një të punësuar. E përderisa po jetësojmë skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, po vazhdojmë mbështetjen e projekteve të organizatave rinore. Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare e në angazhimet tona publike, sepse zhvillimi ynë i ardhshëm varet shumë prej asaj se si e ndihmojmë dhe e  trajtojmë rininë tonë, duke mos harruar që mosha mesatare në Republikën e Kosovës është vetëm 31 vjeç” ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se për shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë mes të rinjve, nga ky vit shkollor kemi filluar me ofrimin e arsimit dual në katër profile, ashtu që ta lidhim tregun e punës, pra nevojat e tregut të punës me planprogramet, me kurrikulat e sistemit arsimor, përkatësisht të aftësimit dhe arsimimit profesional. Kështu synohet lidhja e urëzimi i hendekut të shkathtësive dhe zëvendësimi i emigrimit me punësim.

“Për shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë mes të rinjve, nga ky vit shkollor kemi filluar me ofrimin e arsimit dual në katër profile, ashtu që ta lidhim tregun e punës, pra nevojat e tregut të punës me planprogramet, me kurrikulat e sistemit arsimor, përkatësisht të aftësimit dhe arsimimit profesional. Kështu synojmë pra ta lidhim e ta urëzojmë hendekun e shkathtësive dhe ta zëvendësojmë emigrimin me punësim”, u shpreh Kurti.

Në këtë ceremoni u theksua se Qeveria dhe institucionet janë të fokusuara për të zhvilluar plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre, e të vendit tonë.

(Kosova Sot Online)