Nuk e dorëzojmë Kosovën, thotë “Milloshi i ri”

  • E.K /
  • 06 October 2022 - 08:23
Nuk e dorëzojmë Kosovën, thotë “Milloshi i ri”

Millosh Jovanoviç, lideri i partisë serbe të ekstremit të djathtë – Partia e Re Demokratike e Serbisë (DSS) – ka folur përsëri kundër Kosovës.

Ai ka deklaruar se “nëse Serbia e dorëzon Kosovën për shkak të dobësisë së saj, do t’i hapen një sërë çështjesh të tjera territoriale”.

“Nëse e dorëzojmë Kosovën, nuk kemi më shtet, nuk kemi ekonomi, nuk kemi asgjë – kemi destabilitet për 50 vitet e ardhshme”, ka thënë Jovanoviç, transmeton mediumi serb “Danas”.

Por, ligjërimi i tij vajtues etno-nacionalist nuk ndalet me kaq.

Jovanoviç shtoi se “Kosova nuk duhet pyetur për asgjë dhe nuk është e rëndësishme se kush, çfarë dhe sa do, por vullneti i Serbisë që të mos e njohë kurrë shkëputjen e Kosovës”.

“Shqiptarët janë qytetarë të Serbisë dhe se si të tillë do të trajtohen dhe se është paraparë autonomi thelbësore, e cila asnjëherë nuk u është hequr”.

Kujtojmë se kjo parti ka hapur zyra edhe në Kosovë, në pjesën Veriore të Mitrovicës.

Kryetari i saj, Millosh Jovanoviç, në hapje kishte deklaruar se “askush nuk guxon të mendojë për ta dorëzuar Kosovën, djepin e Serbisë”.

Madje, ai u ka thënë simpatizantëve të tij, që ishin të pranishëm në hapje të zyrës, se ai e di rrugën “drejt kthimit të Kosovës brenda Serbisë”.

(Kosova Sot Online)