I izoluar nga bota, Putinin sot e uron për ditëlindje vetëm Kim Jong Un

  • E.K /
  • 07 October 2022 - 10:46
I izoluar nga bota, Putinin sot e uron për ditëlindje vetëm Kim Jong Un

Presidenti rus Vladimir Putin sot shënon ditëlindjen e tij të 70-të me pak bujë pasi lufta në Ukrainë, e cila ka vrarë dhjetëra mijëra dhe e ka zhytur Rusinë në izolim ekonomik dhe ndërkombëtar, vazhdon.

Në vitet e kaluara, Putin ka festuar duke bërë udhëtime, duke ecur në Siberi me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu ose duke luajtur në një lojë hokej.

Por Putini do ta kalojë ditëlindjen këtë herë në punë, duke marrë pjesë në një takim në Shën Petersburg me krerët e shteteve nga një bllok politik i udhëhequr nga Rusia.

Megjithatë, ai nuk mbeti duarthatë nga urimet. Një i tillë i erdhi nga një mik i tij diktator.

Mediat koreano-veriore thonë se lideri i vendit Kim Jong Un ka dërguar një mesazh për të uruar presidentin rus Vladimir Putin për ditëlindjen e tij të 70-të të premten.

Letra thoshte se “Rusia po mbron me besueshmëri dinjitetin e shtetit dhe interesat e saj themelore nga sfidat dhe kërcënimet nga SHBA-ja dhe forcat e saj vasale. Një realitet i tillë është i paimagjinueshëm pa udhëheqjen tuaj të shquar dhe vullnetin e fortë”.

Kim tha se bashkëpunimi midis Koresë së Veriut dhe Rusisë është forcuar “si kurrë më parë në luftën për të realizuar drejtësinë ndërkombëtare”.

Ai shtoi se shpreson se lidhjet e tyre personale do të luajnë një rol më të madh në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve.

(Kosova Sot Online)