Kryeministri mohon se çdo i dyti mjek po largohet nga Kosova

  • G.G /
  • 07 October 2022 - 12:36
Kryeministri mohon se çdo i dyti mjek po largohet nga Kosova

Sipas Kryeministrit Albin Kurti, shifrat dhe përshtypja për punëtorët shëndetësorë që po ikin “janë më të fryra se realiteti”.

Kurti thotë se nuk është në rregull të përmenden kaq shumë se po ikin mjekët, pasi sipas tij, gjendja nuk është aq keq.  “Ne, natyrisht që punojmë, angazhohemi, që të mos shkojnë punëtorët nga shërbimi shëndetësor publik i Kosovës. Një pjesë e tyre kalojnë edhe në sektorin privat, disa shkojnë edhe jashtë vendit. Por, megjithatë besoj që shifrat dhe përshtypja që krijohet është më e fryrë se realiteti”, ka thënë Kurti sot në Kuvend.

“Nuk po them se nuk ka mjekë që po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali për shëndetësinë të jetë ajo për mjekët që po shkojnë, sepse nuk e reflekton realitetin”, ka shtuar ai.

Kurti thotë se në Kosovë janë mjekët e devotshëm dhe patriotë.

“Megjithatë, spitalet tona rajonale, QKUK, Qendra e Mjekësisë Familjare nëpër komunat e Kosovës anë e mbanë janë me mjekë e infermierë të devotshëm të vendit tonë, që janë edhe të ndershëm, edhe patriotë edhe profesionistë”, tha KryeministrI.

(Kosova Sot Online)