Detaje nga Raporti i Progresit: Kosova kritikohet për gjyqësorin e Kuvendin

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 10:07
Detaje nga Raporti i Progresit: Kosova kritikohet për gjyqësorin e Kuvendin

Komisioni Evropian në raportin vjetor të progresit për Kosovën ka një sërë kritikash por edhe vlerësime.

Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

Kosova kritikohet për gjyqësorin e Kuvendin – Kërkohet përshpejtim i dialogut.

Në një draft të këtij raportit vlerësohet fakti që ka pasur një stabilitet politik në Kosovë falë shumicës që kishte siguruar Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021, por që ka kritika për Kuvendit e Kosovës për ngecje në miratimin e legjislacionit, në të shumtën e rasteve për shkak të mungesës së kuorumit, pjesërisht edhe për shkak të bojkotit nga ana e opozitës.

“Në Kosovë, qeveria e zgjedhur në vitin 2021, ka gëzuar një stabilitet politik dhe institucional falë shumicës solide. Kjo do të ishte dashur t’i ketë dhënë Kosovës mundësinë për të përshpejtuar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe intensifikimin e aktiviteteve legjislative, përfshirë edhe ato të lodhur ame reformat drejt BE-së. Megjithatë, mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvend, si dhe bojkoti i partive opozitare ka shkaktuar vonesa në miratimin e ligjeve kyç” thuhet në raport.

“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.

Ky draft flet edhe për funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.

“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.

Mes kritikash e vlerësimesh, Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Tutje, konstatohet sipas raportit se Kosova nuk e ka ratifikuar akoma protokollin plotësues të CEFTA-s, për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimeve.

Në raport përmendet edhe dialogu Kosovë-Serbi ku kërkohet avancim i negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse.

“Kosovës dhe Serbisë tash u kërkohet që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe t’i avancojnë negociatat për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizim pa vonesa të reja. Një marrëveshjeje të tillë është nevojë urgjente dhe kyçe në mënyrë që Kosova dhe Serbia të mund të avancojnë në rrugëtimin e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në raport.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE

(Kosova Sot Online)