Objektet e sekuestruara në Brezovicë të “politikanëve dhe strukturave tjera”

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 13:10
Objektet e sekuestruara në Brezovicë të “politikanëve dhe strukturave tjera”

Rreth 100 objekte janë sekuestruar sot në Brezovicë të ndërtuara kryesisht në kundërshtim me ligjin. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha  se pjesa më e madhe e këtyre objekteve nuk dihet se kënd e kanë pronar. Ndërsa prokurori i rastit Rasim Maloku i pyetur se të kujt janë vilat, tha “ka prej të gjitha strukturave”.

Prokurori Maloku nuk e mohoi se ka objekte të sekuestruara që janë në pronësi edhe të politikanëve.

I pyetur specifikisht se a ka objekte të sekuestruara që janë në pronësi të politikanëve dhe biznesmenëve, ai u përgjigj “Po ka prej të gjitha strukturave”.

Këto objekte sipas prokurorisë janë ndërtuar me marrje dhe dhënie ryshfeti duke keqpërdorur pozitën zyrtare.

Kryeprokurori Shukri Jashari tha  se “disa nga vilat dihet se të kujt janë”.

“Disa dihen të kujt janë e disa nuk dihen, te pjesa me e madhe nuk dihet se kush është pronari”, tha ai.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të  ndërtuara në Brezovicë – Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, “nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”.

Ndërtimi i këtyre objekteve sipas prokurorisë e ka degraduar mjedisin në këtë zonë.

“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

(Kosova Sot Online)