Kështu mirëpritet Kosova në Asamble të Këshillit të Evropës, reagon përfaqësuesi serb

  • G.G /
  • 11 October 2022 - 13:35
Kështu mirëpritet Kosova në Asamble të Këshillit të Evropës, reagon përfaqësuesi serb

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur për herë të parë në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Evropës. Kjo pasi që dje është vendosur që një e drejtë e tillë t’i jepet shtetit të Kosovës.

Reagimet për këtë nga shtetet tjera anëtare kanë qenë të jashtëzakonshme. Holandezja Margreet De BOER ka mirëpritur Bogujevcin dhe pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e  së martë, dhe ka thënë se shpreson që së shpejti do të mund t’i urojnë Kosovës mirëseardhje si shtet anëtare.

“Më lejoni të përfundoj me disa fjalë për kolegët nga Kosova. I mirëpres ata si folës në Kuvendin tonë dhe në këtë debat sot, dhe shpresoj se mund t’i mirëpresim ata si shtet anëtar në një të ardhme jo shumë të largët. Faleminderit”, ka thënë Boer.

Përfaqësuesi nga Britania e Madhe Edward LEIGH ka thënë se është një nder që ta marrë fjalën pasi Asamblesë së Përgjithshme i është drejtuar deputetja nga Kosova.

“Është nder, zonja Presidente, të ndjek folësen e fundit nga Kosova dhe na mirëpresim në këtë Asamble të kombeve të lira të Evropës”, ka thënë Leigh.

Edhe John Hoëell nga Britania e Madhe ka rikujtuar se shteti i tij mbështet Kosovën në aspiratën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Fusha e dytë – thashë se do ta bëja me dy – është Kosova, ku qeveria ime e mbështet Kosovën dhe po ashtu edhe delegacioni im. Ajo nuk mund t’i sjellë asgjë tjetër përveç përfitimeve në aspektin e të drejtave të njeriut për popullin e Kosovës që të jenë anëtarë të plotë të kësaj organizate”, ka thënë Hoëell.

Pas fjalëve të  Howell ka reaguar edhe përfaqësuesi i Serbisë në Asamble duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë një thyerje e praktikës së gjatë të Këshillit të Evropës.

“Një vendim i mundshëm për të shqyrtuar një ofertë për anëtarësim në emër të autoriteteve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, që aplikohen si e ashtuquajtura Republika e Kosovës, mund të jetë një thyerje e qartë me këtë praktikë të kahershme”, ka thënë Stefan Jovanoviq.

(Kosova Sot Online)