Gjermanët në betejë për t’ia hequr vizat Kosovës, të bindur se po ia dalin

  • E.K /
  • 11 October 2022 - 14:37
Gjermanët në betejë për t’ia hequr vizat Kosovës, të bindur se po ia dalin

Procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duket se po shkon drejt finalizimit. Në prag të datës 13 tetor, kur edhe çështja e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës së Grupit Punues për Viza, ka zëra të shumtë ndërkombëtarë që japin shpresë.

Më të fuqishme dhe shpresëdhënëse janë deklarimet që vijnë nga Gjermania, meqë udhëheqja aktuale atje punën e liberalizimit të vizave për Kosovën e ka edhe pjesë të programit qeverisës.

Zërave gjerman për liberalizimin e vizave iu ka prirë ambasadori Jorn Rohde, i cili ka dhënë muajt e parë të vitit të ardhshëm si kohë kur potencialisht do të ndodh liberalizimi. Madje Rohde ka thënë se do të jetë ambasadori i fundit gjerman brenda mandatit të të cilit do të diskutohet për liberalizim vizash.

Përveç ambasadorit gjerman, deklaratë të fortë për liberalizimin e vizave ka dhënë edhe Ministrja për Evropë e Gjermanisë, Anna Lührmann. Ministrja Gjermane madje ka thënë se liberalizimi i vizave mund të ndodh para vitit të ri.

Pas Rohde e Luhrman, sinjale pozitive për liberalizimin e vizave për Kosovën ka dhënë edhe e ngarkuara e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Susane Schutz. Ajo madje ka treguar se ndryshe nga herat e tjera, tashmë pro liberalizimit të vizave për kosovarët është edhe shteti francez. Ajo gjithashtu ka rikujtuar faktin se liberalizimi i vizave është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës në Gjermani.

Gjithashtu Schutz ka thënë se presin përkrahje edhe nga shtetet e tjera anëtare.

“Po, më 13 tetor, në Bruksel, do të ketë një takim të grupit të punës së vizave. Jemi shumë të lumtur që Komisioni do të paraqesë një përditësim teknik të raportit të tij lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën. Këtë herë ne llogarisim mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare. Gjermania është shumë mbështetëse për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është thënë madje edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë sonë. Shohim që tani ka mbështetje edhe nga vende si Franca, kështu që shpresojmë që aty nga fundi i vitit të gjitha shtetet anëtare të BE do të japin dritën e gjelbër politike për të shkuar përpara me liberalizimin e vizave dhe do të jetë një ꞔështje e zbatimit praktik në terren. Ne dëshirojmë të shohim që ky premtim që dha BE para vitesh të plotësohet tani për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Schutz për DË.

Se ka ndryshim të pozicionit ndërkombëtar për çështjen e liberalizimit të vizave e ka thënë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Madje shefja e shtetit i ka dhënë merita vetes për këtë ndryshim, meqë thotë se ka ndodhur pasi ajo ka takuar liderët e BE-së më 23 qershor në Samitine BE-së.

“Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues”, ka thënë  presidentja në një intervistë për Radion Evropën e Lirë.

Heqja e regjimit  të vizave do të jetë në agjendën e mbledhjeve të Grupit Punues për Viza të BE-së që do të mblidhet me 12 dhe 13 tetor. Në këto mbledhje do të diskutohet edhe një non-paper i Komisionit Evropian me të gjeturat për Kosovën, raport që ka pasur edhe disa vërejtje, derisa liberalizimin e vizave për kosovarët e ka konsideruar si diçka “urgjente”.

Shtetet anëtare me përfaqësuesit e tyre brenda Grupit Punues për Vizat do të kenë mundësinë që rifreskohen me të dhëna për Kosovën në fusha të cilat atyre iu interesojnë.

(Kosova Sot Online)