E konfmirmon edhe shefi i EULEX’it në Kosovë: Presidentja e PE-së është pro liberalizimit të vizave

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 09:36
E konfmirmon edhe shefi i EULEX’it në Kosovë: Presidentja e PE-së është pro liberalizimit të vizave

Shefi i EULEX’it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e përkrah Kosovën drejt procesit të liberalizmit të vizave.

Wigemark, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Metsola këtë e kishte bërë të ditur gjatë një diskutimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE-së, për Ballkanin Perëndimor muaj më parë, në Bruksel.

“Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola gjithashtu u shpreh fuqishëm në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën  duke iu referuar një diskutimi që kishte me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Bruksel disa muaj më pare”, ka shkruar Gunnar Wigemark në Twitter.

12 tetori pritet të jetë një ditë speciale për Kosovën në Bruksel.

Në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, së pari kolegji i komisionarëve pritet të miratojë raportet e progresit për vendet aspiruese për të hyrë në BE. Në disa fusha raporti do jetë i ndryshëm për Kosovën, por tek liberalizimi i vizave Komisioni Evropian i mbetet besnik qëndrimit të vitit 2018.

KE-ja thotë se regjimi i vizave për kosovarët duhet hequr, dhe se kushtet janë përmbushur.

Mbi këtë raport dhe të ashtuquajturin “Non-Paper” grupi punues për vizat, po në Bruksel, do zhvillojë punimet të mërkurën e të enjten për liberalizim.

Derisa të mërkurën e të enjten, punon grupi për vizat, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e punëve të brendshme të unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.

Lëvizja e lirë për shtetasit e Kosovës nuk figuron si temë diskutimi.

Njoftimi zyrtar thotë se aty flitet për situatën e përgjithshme me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe se do vendosen veprime në këtë fushë.

Vendimin final për liberalizim pas kryerjes së procedurave paraprake e merr KE-ja me shumicë të kualifikuar.

(Kosova Sot Online)