MASHT: Zëvendësimi i orëve, sipas kalendarit të Ministrisë

  • g.g /
  • 12 October 2022 - 13:27
MASHT: Zëvendësimi i orëve, sipas kalendarit të Ministrisë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ka hequr dorë nga kalendari i caktuar për zëvendësim të orëve të humbura mësimore në shtator si pasojë e grevës, pavarësisht kërkesës nga komunat për moszëvendësim gjatë të shtunave.

Në një letër të publikuar nga Asociacioni i Komunave, Nagavci ka thënë se është e pamundur që të zëvendësohen 22 ditët e humbura duke shtuar nga një orë mësimore në ditë.

“Sa i përket propozimit tuaj që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë Brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët”, ka thënë Nagavci në përgjigje.

Nga 25 gushti deri më 1 tetor, mësimdhënësit ishin në grevë duke kërkuar shtesa nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua pa marrëveshje me Qeverinë. Ministrja vendosi për zëvendësim të orëve duke ndryshuar kalendarin shkollor. Megjithatë, me të s’u pajtuan as nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, as prindërit e as komunat.

(Kosova Sot Online)