Gërvalla në intervistë për mediumin austriak, i jep këshilla BE-së si të sillen me Serbinë

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 13:54
Gërvalla në intervistë për mediumin austriak, i jep këshilla BE-së si të sillen me Serbinë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për agjencinë e lajmeve austriake “APA”, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, kur kjo e fundit po “flirton” me Rusinë.

Në leximin e saj, kryediplomatja kosovare mendon se BE-ja duhet të ketë një qëndrim shumë më të vendosur ndaj Serbisë për shkak të afërsisë së saj me Rusinë si dhe për faktin që Beogradi po tregon se nuk ka interes për anëtarësim në Union.

“Serbia po tregon sot se nuk ka interes për anëtarësim në BE, kështu që do të ishte përfundim logjik që të ngrihej statusi i kandidatit dhe bashkë me të edhe fondet që shkojnë me statusin kandidat”.

Gërvalla, mes tjerash, ka akuzuar BE-në për zbutje të qëndrimit në raport me Serbinë.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian po bën shumë pak. Edhe në vitet 1990, BE-ja u përpoq që konfliktin në Ballkan ta shohë gjithmonë nga njëra anë”, ka thënë Gërvalla.

Prandaj sipas saj gjithë në këtë mes nevojitet një strategji shumë e qartë se si mund të përfundojë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mjafton më të thuash: fëmijë, uluni dhe mos u grindni, vërtet duhet të vini në tryezë me një mesazh të qartë dhe nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër nga ky dialog përveç njohjes reciproke”, ka shtuar ajo.

Kryediplomataja më tej ka shprehur skepticizmin e saj në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas saj Kosova po shkon në Bruksel për të arritur rezultate, por në anën tjetër Serbia “po mbledh rrush të thatë dhe nuk bënë asgjë tjetër”.

Sa i përket Komunitetit Politik Evropian (EPG), i cili u themelua rishtazi, sipas Gërvallës, Kosova ende nuk ka informacione të mjaftueshme se si duhet të duket dhe për këtë arsye nuk ka një qëndrim të qartë.

“Nëse kjo synohet si një anë ose një pararojë për të mbajtur distancën ndërmjet Bashkimit Evropian dhe atyre që aspirojnë të anëtarësohen, atëherë kjo do të ishte qasja e gabuar”.

(Kosova Sot Online)