Vizat – një histori e gjatë, si do të vazhdojë tutje?

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 08:20
Vizat – një histori e gjatë, si do të vazhdojë tutje?

Më shumë se një dekadë më parë ishte përmendur liberalizimi i vizave për Kosovën, aso kohe vendin e drejtonte Hashim Thaçi.

Kanë kaluar vite dhe kosovarët vazhdojnë të mbesin populli i vetëm në Ballkanin Perëndimor që s’mund të udhëtojnë pa viza në zonën shcengen.

Parlamenti Evropian disa herë e ka dhënë dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve, por të një mendje s’ka qenë edhe Komisioni Evropian.

Disa shtete shpesh ishin skeptike, sidomos Franca dhe Holanda. Madje sa herë Franca kishte zgjedhje presidenciale në një formë zbehnin gjasat që kosovarët një ditë të lëvizin lirshëm.

Ankthi i evropianë nga e djathta ekstreme u shndërrua në ankth real për kosovarët prej evropianëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

‘’Kosova i ka plotësur 95 kritere. Nuk besoj që  duhet të përgatitemi për skenare negative dhe nuk besoj që ka arsye e as logjikë e as plane për kushte të reja. Kushtet janë kryer dhe ne me optimizëm shikojmë përpara”, ka thënë Kurti të enjten teksa e ka pranuar Raportin e Bashkimit Evropian.

Por këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger ka thënë se i vlerëson të ulëta shanset që të vendoset diçka pozitive sa i përket liberalizimit në takimin e sotëm.

“Fatkeqësisht, i vlerësoj mjaft të ulëta shanset që liberalizimi i vizave të ndodh tani. Ka shumë fjalë të bukura, por i kemi dëgjuar edhe në qershor. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk erdhi. Më në fund duhet të ndalojnë së dhëni shpresë dhe pastaj të mos ketë asgjë. Liberalizimi i vizave duhet të ndodh të paktën”, ka thënë Shchneeberger.

Ditë më parë, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se e kupton frustrimin e kosovarëve për çështjen e vizave.

Madje BE-ja e kishte shkelur edhe premtimin e vet që me miratimin e Demarkacionit me Malin e Zi, vizat do të liberalizohen.

Demarkacioni ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, por vizat s’ishin hequr.

E për më shumë, gjatë këtyre viteve janë liberalizuar vizat edhe për disa vendeve të Amerikës Latine dhe Lindjes së Mesme.

Madje vizat janë dhënë edhe për Malin e Zi, ani pse nuk e ka pasur demarkimin me Kosovën, por Kosova e ka pasur kusht që ta ketë demarkimin me Malin e Zi.

Edhe pas kësaj ka vazhduar e njëta. Sa herë gjithçka ka qenë afër ka dalë një shtet skeptik – procesi është zgjatur.

E sot pritet edhe një tjetër takim i Grupit Punues të Komisionit Evropian – për të diskutuar pikërisht për çështjen e vizave për Kosovën. 

(Kosova Sot Online)