Kryediplomatja gjermane: Do t’ia sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet Francës për vizat

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 08:59
Kryediplomatja gjermane: Do t’ia sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet Francës për vizat

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, ka thënë se do të mundohen t’i përgjigjen çdo dileme të Francës për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sot në Bruksel, ekipi i ministrave të brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë për liberalizimin e vizave.

Është përmendur nga zyrtarët e lartë të BE-së që ka ende vende skeptike dhe kryediplomatja e jashtme gjermane e përmendi Francën, shtet që njihet për skeptizëm në liberalizimin e vizave për kosovarët.

 “Dhe mund të premtoj se do të angazhohemi dhe që të sqarojmë të gjitha pyetjet dhe dyshimet që mund të kenë partnerët tanë në Francë, dhe që të mos ketë vonesa në zbatim”, ka thënë ajo.

Përndryshe, Gjermania ka premtuar vazhdimisht se do të bëjë më të mirën që ky proces të mbarojë.

Procesi ka filluar një dekadë më parë. Ka pasur shumë premtime, por jo edhe realizim.

Rrjedhimisht, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa liberalizim të vizave.

Në anën tjetër, BE-ja ka liberalizuar vizat edhe për disa shtete të Lindjes së Mesme dhe Amerikës Latine. 

(Kosova Sot Online)