Ngjarje ‘horror’ në Pejë: Burri sulmon familjarët me thikë dhe sëpatë, ther tri herë njërin nga vëllezërit

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 10:49
Ngjarje ‘horror’ në Pejë: Burri sulmon familjarët me thikë dhe sëpatë, ther tri herë njërin nga vëllezërit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:10 në fshatin Kosuriq në Pejë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar me thikë dhe sëpatë nënën, motrën dhe dy vëllezërit e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja është zhvilluar në shtëpinë e familjes, kur i dyshuari 34-vjeçar kishte sulmuar me thikë dhe sëpatë familjarët e tij, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.

Në mënyrë që të pasivizohet i dyshuari dhe të shmanget më e keqja që u kanosej, familjarët e kanë lidhur me litar në tokë 34-vjeçarin, ndërkohë që kanë njoftuar Policinë për atë që ka ndodhur.

Me të dalë në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë gjetur të dyshuarin të lidhur në dysheme dhe me lëndime të dukshme në pjesë të trupit. Po ashtu është gjetur i plagosur tri herë me thikë njëri nga vëllezërit e të dyshuarit, i cili kishte edhe lëndime tjera nga goditja me mjet të fortë.

Lëndime ka marrë edhe nëna e të dyshuarit, e cila po ashtu u sulmua nga djali i saj.

I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti fillimisht është dërguar për tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, bashkë me nënën dhe vëllain të cilët mbetën të lënduar nga kjo ngjarje.

Mësohet se pas tretmanit mjekësor e gjithë familja ka përfunduar në stacion të Policisë ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 34-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e tri veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Dhunë në familje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

(Kosova Sot Online)