Lajcak: Të hënën gjithë ditën në Bruksel folëm për energjinë, s’duam të tërhiqet licenca për Elektrosever

  • G.G /
  • 13 October 2022 - 13:38
Lajcak: Të hënën gjithë ditën në Bruksel folëm për energjinë, s’duam të tërhiqet licenca për Elektrosever

Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak ka ardhur sot në Prishtinë për të folur specifikisht për dy tema; targat dhe licencën e Elektroseverit.

Lajcak thotë se mund t’i tërhiqet licenca kompanisë serbe Elektrosever, e licencuar për furnizimin me rrymë të komunave veriore dhe nuk do që kjo të ndodhë.

Ai tregon se të hënën që shkoi ka diskutuar me përfaqësues të KEDS dhe Elektroseverit, në tentim të zgjidhjes së problemit. Konkludimet ia solli Kryeministrit Albin Kurti sot në Prishtinë, e do t’ia dërgojë edhe Presidentin serb, Aleksandër Vuciq më vonë.  

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit dhe ne nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë akterët, si KEDS e Elekstroserver, të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar për situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë”, tha sot Lajcak.

Gjatë shtatorit, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishin deklaruar se kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar, për herë të parë pas më shumë se 20 vjetësh. 

(Kosova Sot Online)