Ka dy javë, që nëpër rrugët e Obiliqit, po ndodh diçka e dhimbshme me ujin e pijshëm

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 08:16
Ka dy javë, që nëpër rrugët e Obiliqit, po ndodh diçka e dhimbshme me ujin e pijshëm

Ka dy javë që uji i pijshëm rrjedh pa ndalë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Obiliq.

Megjithëse banorët i kanë njoftuar zyrtarët e KRU “Prishtina” dhe ata të Komunës së Obiliqit, deri tash askush nuk ka shkuar për ta sanuar këtë defekt.

Banorët shprehen të shqetësuar se uji që është duke rrjedhur për kohë të gjatë mund t’i dëmtojë edhe objektet aty afër.

“Këtu rrjedhja e ujit është qe 2 javë. Janë të lajmëruar Ujësjellësi, Komuna, Policia dhe nuk kanë marrë masa kurrgjë hiç për këtë rrjedhje, nuk kanë ardhur as ta shikojnë. Mënyrën e fundit që e kam gjetur është përmes gazetarëve për të ardhur për t’u me lajmërua rastin, përndryshe kush nuk merr masa”, deklaroi banori Esat Bublica.

Ndërsa, banori tjetër Ramadan Salihu, tha se uji mund të shkaktojë dëme edhe në ndërtesën pranë.

“Kjo mundet të shkaktojë dëme të mëdha shkaku i ujit se uji rrjedh edhe mundet këtë ndërtesën këtu, të hyjë poshtë në bodrum edhe të bëjë ndoshta edhe dëme. Po presim, ata kanë premtuar se do të dalim e u bën qe dy javë e nuk kanë dalë hiç. Këndej thonë se për ta kursyer ujin, e na po e kursejmë ujin, po këto shoqatat, këto që merren me ujë ujësjellësit, këta nuk dalin për ta sanuar dëmin që mundet të shkaktojë edhe të tjera dëme”, tha ai.

Zyrtarët komunalë të Obiliqit kanë thënë se aty është një rrjedhje e vogël e ujit dhe se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” shumë shpejt do ta sanojë këtë defekt.

“Jemi të njoftuar edhe kemi marrë masa në këtë drejtim. Kemi biseduar edhe me drejtorin e KRU ‘Prishtina’ në Komunën e Obiliqit, edhe na ka njoftuar se ky sanim do të përfundojë shumë shpejt, por kanë pasur agjendë dhe ngarkesë me punimet që janë duke i zhvilluar në Komunën e Obiliqit dhe për këtë arsye nuk është ndërmarrë ende kurrgjë në këtë drejtim”, tha Abdyrrahman Krasniqi, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë.

Zyrtarët e KRU “Prishtina” thonë se gjatë kësaj kohe kanë pasur raste të shumta të defekteve në rrjet në Komunën e Obiliqit.

Zëdhënësja Arjeta Mjeku ka theksuar se shumë shpejt do të intervenojnë edhe në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.

Zëdhënësja Mjeku ka theksuar se rasti në fjalë nuk është me rrezik të lartë. Por, sipas saj, në rastet kur konstatohet që dëmi shkaktohet nga KRU “Prishtina”, atëherë janë të gatshëm të marrin përgjegjësi.

(Kosova Sot Online)