Zyrtari i NATO-s: Çështja e targave, mund t’i rris tensionet në Kosovë

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 09:51
Zyrtari i NATO-s: Çështja e targave, mund t’i rris tensionet në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media pas takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës në Bruksel, ka thënë se çështja e targave mund t’i rris tensionet në Kosovë.

Stoltenberg potencoi se trupat e KFOR-it mbështesin përpjekjet e diplomatëve të Bashkimit Evropian për të arritur përparim në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së.

“Ballkani Perëndimor është një rajon në Evropë ku Bashkimi Evropian dhe NATO bashkëpunojnë shumë ngushtë. Ne ndihmuam për t’i dhënë fund dy luftërave brutale, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, pastaj në Kosovë. Ne kemi praninë tonë, misionin e KFOR-it në Kosovë”, tha Stoltenberg.

Duke folur për Bosnjën dhe Hercegovinën, ai tha se është një nga vendet që janë në rrugën e anëtarësimit në NATO.

Por, theksoi se ky vendim në fund të fundit do të jetë vendim i Bosnjë-Hercegovinës.

Ai shtoi se ky vendim duhet të jetë diçka që dëshiron Bosnja dhe Hercegovina, sepse “NATO respekton vendimet e të gjitha vendeve që zgjedhin rrugën e tyre”.

(Kosova Sot Online)