Sistemi ETIAS “kusht i ri për vizat”, i papranueshëm për Kosovën

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 11:23
Sistemi ETIAS “kusht i ri për vizat”, i papranueshëm për Kosovën

Dje gjatë ditës në Bruksel mundësia e heqjes së vizave është diskutuar në Grupin e Vizave nga vendet anëtare të BE’së. Sipas njoftimeve, të gjitha shtetet janë shprehur pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por u bë e ditur se Franca ka propozuar që kosovarët të mund të udhëtojnë vetëm pasi të hyjë në fuqi sistemi ETIAS. Kjo është shpallur e papranueshme nga Kosova, sepse përbën kusht të ri.

Pas publikimit të lajmit se Franca po kërkon që Kosovës t’i hiqen vizat, paralelisht me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e jashtme Donika Gërvalla ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë se procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara.

“Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm” tha Gërvalla.

Ajo nuk tha asgjë për sistemin ETIAS, por përmendi që janë ngritur cështje teknike duke thënë se procesi do të përmbyllet në afat të rregullt.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt” shtoi Gërvalla.

Më konkret rreth kësaj teme ishte zëvendësi tjetër i Kurtit, Besnik Bislimi. Ai tha se përmendja e sistemit ETIAS, është kusht ose kriter i ri për heqjen e vizave.

“Kemi vende të cilat pa asnjë rezervë e kanë përkrahur liberalizimin e menjëhershëm të vizave për Kosovën, kemi ato shtete, të cilat për arsye të dinamikave politike nuk kanë mundur të japin qëndrimin zyrtar, për shkak se disa sosh janë në mandat teknik të qeverive të tyre, është Italia dhe Suedia, si dhe Danimarka që sapo ka paralajmëruar zgjedhjet e reja. Janë edhe vendet pakicë, të cilat nuk e kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, por dëshirojnë që këtë ta lidhin me disa elemente tjera, të cilat për neve janë kushte të reja, apo kritere të reja. Edhe pse ata pretendojnë se janë vetëm teknikalitete, për ne janë kushte të reja”.

Bislimi megjithatë paralajmëroi se cështja e vizave do të shkojë tutje, në nivele tjera diskutimi më 9 nëntor.

Ndrsa Presidenca Çeke e BE’sw pas takimit nw Bruksel ka bwrw me dije se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përmes një deklarate të publikuar pas debatit të mbajtur nga grupi punues për vizat, Presidenca Çeke ka thënë se duhet të vazhdojë diskutimi.

Çfarë është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen.

Në një farë mënyre, ai i ngjan Sistemit Elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sipas disa njoftimeve të pakonfirmuara nga BE thuhet se do të hyjë në fuqi më 2023. Më së shumti përmendet muaji nëntor i vitit të ardhshëm.

Përmes këtij sistemi bëhet kontroll i detajuar sigurie i secili aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen në ndonjë vend të Zonës Schengen, shkruan Schnengenvisa.

Ndërkohë ETIAS nuk vlen për ata qytetarë që s’kanë qëllime udhëtimi në Schengen deri në 90 ditë.

Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengenit.

Siç shkruan Schengenvisa  aplikimi për ETIAS do të kushtojë 7 euro, derisa kjo vlen vetëm për të rriturit mbi moshën 18 vjeçare. Ata që janë nën këtë moshë janë të liruar nga pagesa.

Procesi i aplikimit mund të marrë kohë deri në 10 minuta me pyetjet bazike që ndërlidhen me të dhënat personale, derisa procesi deri në marrjen e lejes mund të zgjas deri në 1 muaj.

Ideja për këtë sistem buron qysh në vitin 2016, kur ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte thënë se “Evropa duhet të di se kush po kalon nëpër kufijtë e saj”.

(Kosova Sot Online)