Protesta e pedagogëve, Kovaçi: Ka ardhur koha të themi ta bëjmë Shqipërinë si Kosova, jo si Europa

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 12:32
Protesta e pedagogëve, Kovaçi: Ka ardhur koha të themi ta bëjmë Shqipërinë si Kosova, jo si Europa

Pedagogët kanë dalë sërish në protestë përballë Universitetit të Arteve në Tiranë, duke deklaruar se kanë pagat më të ultat në rajon. Ata kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen do të bojkotojnë mësimin.

Sjellim në vëmendje se ditë më parë, qeveria pas shqyrtimit të kërkesave të pedagogëve ka njoftuar se do të rrisë me 7 për qind pagat, ndërsa universiteti do të paguajë 8 për qind për rritjen e pagave të pedagogëve.

Ky vendim nuk është mirëpritur nga pedagogët të cilët kanë dalë dhe sot në protestë duke iu dhënë zë kërkesave të tyre.

Ata kanë bërë krahasimin e pagave të tyre me ato të Kosovës dhe janë shprehur: Ka ardhur koha të mos themi ta bëjmë Shqipërinë si Europa, por si Kosova.

Sandër Kovaçi: Mund të them me plot gojën, këto njerëz që janë këtu, do i konsideroja yjet e protestës për një qëndrim të arsimit të lartë publik. Sqaroj se ne kemi kërkuar një rritje 30 për qind sivjet dhe 20 për qind vitin e ardhshëm duke u nisur nga kushtet në vend. Duke u nisur nga kriza ekonomike e kemi zbritur kërkesën duke qenë solidarë me këtë situatë. Kemi qenë konsistentë në kërkesat tona, janë të përsëritura dhe të modeluara në sajë të situatës.

Pedagogu Sandër Kovaçi ka bërë një krahasim të pagave të asistenëve dhe pedagogëve të universiteteve tona me ato të Kosovës.

Sandër Kovaçi: Një asistent në universitet pavarësisht se kërkohet me rezultate të larta, paguhet me 595 mijë lekë të vjetra. Shifra maksimale 960 mijë lekë të vjetra për profesorin. Ta krahasojmë me Kosovën, ai që është 500 mijë lekë të vjetra këtu, në Kosovë është 900 euro. Ai që është 960 mijë lekë këtu, në Kosovë është  1516 euro. Ka ardhur koha të mos themi ta bëjmë Shqipërinë si Europa, por si Kosova.

(Kosova Sot Online)