‘Unë jam kosovar’/ Berisha: Rama po dëmton sërish udhëheqjen e UÇK-së

  • G.G /
  • 14 October 2022 - 12:50
‘Unë jam kosovar’/ Berisha: Rama po dëmton sërish udhëheqjen e UÇK-së

Kryetari demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj komenteve të bëra nga kryeministri Edi Rama për fjalimin e tij në Këshillin e Europës.

Berisha tha se kjo është hera e dytë që Edi Rama po e dëmton rëndë udhëheqjen e UÇK-së.

“Është akti i një burracaku që kërkon të fshihet pas hijes së vet. Së pari, kam këtu tekstin e fjalës së përfaqësuesit të Edi Ramës në Asamblenë e KiE, ku thotë në mënyrë tekstuale se jemi dakord për hetim të plotë dhe të gjerë.

Së dyti, Edi Rama ka qenë kryetar i PS, kur deputetët e tij kanë votuar në parlament, ligjin për hetimin ndërkombëtar të këtyre krimeve në territorin e Shqipërisë. Pra, Edi Rama ka qenë 100 përqind dakord me këtë.

Unë shoh me një keqardhje disa qëndrime të autoriteteve të ndryshme në Kosovë, që nuk e frenojnë Edi Rama. Ai po dëmton gjendjen e udhëheqjes politike të burgosur në Hagë.

Nëse presidenti i një vendi u arrestua pothuajse në avion, që nuk ka ndodhur krurë, në mënyrën më të pamerituar, kjo ndodhi për shkak të fushatës anti-gjykatë të Ramës dhe Baton Stanishiçit.

Absolutisht, qëndrimi më i keq që mund t’u bëhet zotërinjve Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj, është fushata e çmendur e Edi Ramës, gjoja po i ndihmoj, por po i dëmton në palcë. Kjo me të gjitha, sidomos fjala e tij në Asamblenë Parlamentare. Është interpretuar si presion politik, gjë që e hedhin me neveri në Europën Perëndimore. Nëse do t’i ndihmojë, të caktojë një fond dhe të marrë avokatët më të mirë dhe t’i dërgojë në sallë.

Por Edi Rama po përkeqëson gjendjen e tyre para trupit gjykues në Hagë.

Unë në radhë të parë jam kosovar. Kurse Edi Rama po bën gjithçka për interesat e tij personale,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)