Specialja përmend mundësinë e arrestimit të Driton Lajçit: T’i refuzohet kërkesa për ndërprerje hetimesh

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 14:07
Specialja përmend mundësinë e arrestimit të Driton Lajçit: T’i refuzohet kërkesa për ndërprerje hetimesh

Kreu i Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith, ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës së dytë të Driton Lajçit për ndërprerje të hetimeve ndaj tij për pengim të drejtësisë. Siç thuhet në dokumentin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara, Smith ka kërkuar që të refuzohet një kërkesë e tillë e Lajçit.

Siç konstaton Kryeprokurori Smith, marrë parasysh gjitha rrethanat dhe kontekstin e tyre “Periudha e hetimit mbetet ende e arsyeshme”.

“Rrjedhimisht Prokuroria Speciale kërkon me respekt nga paneli i gjyqtarëve që të hedhë poshtë kërkesën”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Hagës.

Përveç kësaj në argumentimet e Smith është lënë e hapur mundësia që Lajçi mund të përballet me arrestim dhe burgim të mundshëm si rezultat i hetimeve që po vazhdojnë, megjithatë është theksuar se ai nuk është ndaluar apo nuk është vendosur ndonjë masë tjetër kufizuese ndaj tij apo edhe pasurisë së tij.

“ Prandaj, ky faktor nuk tregon se periudha e hetimit ka qenë e gjatë në mënyrë të paarsyeshme”, thuhet tutje në dokument.

Driton Lajçi ka shërbyer si drejtues i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale. Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë me 29 tetor 2020 pasi ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

(Kosova Sot Online)