Dikush e mbush veturën naftë me 100-she false në Komoran dhe largohet, kompania njofton Policinë

  • E.K /
  • 15 October 2022 - 11:53
Dikush e mbush veturën naftë me 100-she false në Komoran dhe largohet, kompania njofton Policinë

Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës.

Një rast i tillë i ka ndodhur edhe dje, në një pompë të derivateve në Komoran.

Këtë herë, Sinjali mëson se një qytetar e ka mbushur veturën me derivate, shërbim ky që e ka paguar me një 100-she të falsifikuar. I dyshuari më pas është larguar, teksa kompania e ka njoftuar Policinë për dyshimet se kartëmonedha që ka pranuar mund të jetë false.

Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Falsifikim i parasë”.

Kujtojmë, se kryerja e pagesave në shumë jo fort të madhe me kartëmonedha si 50-she e 100-she është një ‘metodë’ e re për të vënë në qarkullim para të falsifikuara, ashtu që paratë false jepen te shitësi, teksa kusuri merret origjinal.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

(Kosova Sot Online)