Tahiri: ETIAS nuk duhet të jetë kusht politik për liberalizimin e vizave

  • E.K /
  • 15 October 2022 - 15:19
Tahiri: ETIAS nuk duhet të jetë kusht politik për liberalizimin e vizave

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka theksuar se ETIAS nuk duhet të kthehet në kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai ka thënë se kushtet për lëvizjen e lirë tashmë janë plotësuar.

Postimi i plotë:

Ta sqarojmë me BE-në

ETIAS-i nuk duhet të kthehet dhe as të shërbejë si kusht politik.

Në lidhje me diskutimin e sistemit ETIAS, si një lloj kushti në dukje teknik nga ana e BE-së, institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i drejtohen zyrtarisht përmes një deklarate Presidencës Çeke, se në këtë proces :

1. Kosova ka përmbushur kushte më shumë se vendet e rajonit;

2. Se edhe pas liberalizimit zotohet se do t’i zbatojë të gjitha kushtet dhe standardet të cilat do të vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke konkluduar se nëse vazhdon qasja asimetrike e BE-së dhe vendeve anëtare ndaj Kosovës, kjo mund t’i shërbejë këtij procesi teknik, por njëkohësisht është goditje mbi optimizmin dhe kredibilitetin e procesit evropian në mesin e qytetarëve të Kosovës. Sepse opinioni i gjerë konsideron se zvarritja e liberalizimit është krejtësisht politizues.

Do t’i propozoj Kryetarit Konjufca, që t’i drejtohet me shkresë homologut të tij çekë, dhe francezë si dhe institucioneve respektive të BE-së rreth kësaj situate diskriminuese.

Përndryshe, për ata që nuk kanë njohuri, ETIAS është:

– ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Bashkimi Evropian e ka krijuar këtë program për të mbrojtur dhe forcuar kufijtë e tij. Pra, është një sistem tërësisht elektronik që lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen. Esenca e këtij sistemi është që njerëzit të mos përbëjnë kërcënim sigurie për shtetet ku shkojnë.

– ETIAS-i është vonuar disa herë dhe mund të shtyhet sërish. ETIAS-i fillimisht ishte menduar të lansohej në fillim të vitit 2022, megjithatë, pas disa pengesave për shkak të pandemisë me Covid-19 dhe çështjeve të tjera kundërshtuese, BE-ja ka ngadalësuar planet e zbatimit të tij. Vonesa e parë ishte nga viti 2022 deri në janar 2023, vonës a e dytë ishte për në maj 2023 dhe e treta ishte në nëntor 2023.

(Kosova Sot Online)