“Edi, sapo thashë që…”, Scholz ia përktheu fjalimin, Rama bën shaka në Facebook

  • E.K /
  • 15 October 2022 - 17:34
“Edi, sapo thashë që…”, Scholz ia përktheu fjalimin, Rama bën shaka në Facebook

Gjatë fjalimit të tij në Kongresin e Partive Socialiste Europiane në gjuhën gjermane, kancelari gjerman Olaf Scholz në një moment ka ndaluar dhe i ka shpjeguar në anglisht kryeministrit Rama se për çfarë po fliste për Ballkanin Perëndimor.

“Edi, sapo thashë që ne do t’u qëndrojmë pranë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Scholz duke qeshur.

Këtë video ka shpërndarë Rama në Facebook, krahas të cilës u kujdes t’ia lë edhe një mbishkrim me shaka.

“Ai momenti kur drejtori ta përsërit para kolektivit që do marrësh honorar për punën jashtë orarit”, shkruan Rama.

Në Berlin të Gjermanisë po mbahet Kongresi i radhës i Partive Europiane Socialiste. Kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionin ishin të ftuar në këtë Kongres. Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi nga Bashkimi Europian që të na mbështesë në krizën energjetike dhe të mos përsërisë të njëjtën situatë si me rastin e vaksinave anti-COVID në kohën e pandemisë.

(Kosova Sot Online)