Modeli i një asociacioni pa kompetenca ekzekutive në tavolinë të dialogut me Kosovës dhe Serbisë

Modeli i një asociacioni pa kompetenca ekzekutive në tavolinë të dialogut me Kosovës dhe Serbisë
Modeli i një asociacioni pa kompetenca ekzekutive në tavolinë të dialogut me Kosovës dhe Serbisë

Dardan Grapci

  • 15 October 2022 - 17:20

Shkruan: ANALISTI: Dardan Grapci

Qeveria e Kosovës duhet ta merr seriozisht çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që në një të ardhme jo të largët ti qaset hartimit të statusit të këtij Asociacioni, ashtu sikur që e lejojnë dhe e mundëson Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në mënyrë që kjo çështje të merr fund dhe të mos mbetet shteti peng nga kushtëzimi ndërkombëtar, për një veprim të rrezikshëm e të gabuar që e kanë bërë ish pushtetarët e qeverisjes së kaluar.

-Asociacioni, pra një model i cili nuk e rrezikon sovranitetin e shtetit të Kosovës, që nuk bije ndesh me Kushtetutën dhe nuk krijon shtet brenda shtetit, duhet të propozohet dhe paraqitet si ofertë në vazhdim të dialogut me Serbinë, në mënyrë që të plotësohet edhe një kërkesë e shteteve mike pjesëmarrëse në ndërmjetësim të dialogut dhe lehtësim të arritjes së marrëveshjes finale, që janë SHBA dhe vendet me ndikim në BE.

Në mesin e të cilave rolin kryesor e loz Gjermania. Tani më po shihet ashiqare se kërkesa për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, po shndërrohet në çelësin kryesor të vazhdimit të dialogut të bllokuar ,me Serbinë, për arritjen e marrëveshjes finale, për të cilën janë angazhuar dhe janë duke punuar seriozisht dhe intensivisht, me ndërmjetësim të shtuar e të përqendruar jo vetëm BE por edhe SHBA-ja. Kohëve të fundit, pas zgjedhjeve që janë zhvilluar në Serbi dhe dinamizmit të procesit për vazhdim të dialogut, kjo kërkesë vazhdimisht është duke u theksuar, për ta gjetur një model të përshtatshëm të krijimit të një Asociacionit edhe nga miqtë më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës që kanë lobuar, e kanë mbështetur atë dhe po ashtu edhe në procesin e njohjeve janë angazhuar me njohjet e reja që i kanë stimuluar dhe siguruar.

Jo rastësisht e ka thënë edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, se duhet ecur përpara në këtë proces, dhe e ka cilësuar temën e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si “temë të nxehtë”, në dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që sa më parë t’i japë propozimet e saj sa i përket formimit të Asociacionit, teksa ka theksuar se për të është mjaftë e qartë se nuk do të ketë mundësi që në Kosovë të krijohet një “Republika Srpska”, e ngjashme me atë në Bosnjë e Hercegovinë. Ai ka thënë se ky qëndrim I Gjermanisë është shumë i qartë, është qëndrim zyrtar dhe shumë publik, të cilin e ka konfirmuar si vendim shtetëror të Gjermanisë i dërguari special gjerman për Ballkanin kur ishte në Beograd të premten, e ku ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim kontraktues i Kosovës, i ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

Pra, sikur që po e kërkojnë edhe diplomatët e vendeve më me ndikim në këtë proces, të ndërmjetësuar të dialogut, Kosova duhet të veprojë për këtë dhe më shpejtë të vendosë diçka në tavolinë që është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, aq më shumë do të çmitizojë dhe relaksojë bisedën. Pra Qeveria e Kosovës e cila gjithmonë ka qenë e gatshme për të dialoguar dhe gjetur zgjidhje për njohje reciproke, duhet ta ruaj miqësinë dhe mbështetjen ne fituar nga vendet mike ke ndikim në politikat ndërkombëtare. Jo rastësisht Ambasadori gjerman në Prishtinë ka tërhequr vërejtjen se nëse Kosova do të ketë propozime do të jetë më e lehtë arritja e një marrëveshje me Serbinë, pasi që vetëm duke thënë “jo”, ajo nuk është një rrugëdalje që siguron rezultat në ecurinë e dialogut. Tani më Kosova duhet të vepron drejtë dhe mbi bazën e ligjeve dhe kushtetutës së miratuar me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të ekspertëve amerikan dhe evropian, e ku kanë qenë të përfaqësuar edhe ata gjerman.

Për këtë arsye edhe Ambasadori i Gjermanisë, ka thënë qartë se Kosova e ka obligim ta formojë një Asociacion të modeleve evropiane, por kurrsesi një Republikë Serbe brenda shtetit të Kosovës, sepse një marrëveshje për një asociacion, një lloj OJQ-je që afirmon dhe kultivon vlerat politike e demokratike të pakicës serbe ne Republikën e Kosovës, pa kompetenca ekzekutive, është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe ky tani më është obligim për të cilin duhet dhënë propozimi I zgjidhjes në përputhje me kushtetutën.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".