“Në veri ka grupe të financuara nga shteti serb”

  • S.A /
  • 18 October 2022 - 08:29
“Në veri ka grupe të financuara nga shteti serb”

Njohësi i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se në veri të Kosovës ka grupe që janë të strukturara nga shteti i Serbisë. Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka theksuar se duhet të ketë kujdes ndaj referimit të këtyre grupeve, kjo pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, i cili është shprehur për mundësi të inflirtimit të grupeve kriminale në veri. 

“Nuk ka grupe kriminale, ka grupe të organizuara, të koordinuara dhe të financuara nga shteti serb. Këto grupe nuk janë kriminale ordinere, janë grupe shumë mirë të organizuara, termat e references për to kanë shumë rëndësi, nuk mund të ju referohemi atyre me terma të ekstremizmit të dhunshëm, të ekstremit të djathtë ose të majtë. Janë grupe të cilat i mirëmban i koordinon dhe i urdhëron për veprime të caktuara Qeveria e Serbisë”.

“Për arsye se, ju jeni dëshmitar të gjithë që gjendja e sigurisë në pjesën veriore ndryshon varësisht prej qëndrimeve që ka Serbia zyrtare, sa herë që ju nevojiten përshkallëzime të situatës dalin grupe të caktuara që vetëm i zbatojnë urdhrat çfarë e shefave të tyre. Përndryshe, atje ka grupe kriminale që merren me aktivitete të ndryshme kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës, kontrabandës së ushqimeve. Mirëpo, ajo që e cenon sigurinë në atë pjesë janë këto struktura që i koordinon, i mirëmban, i trajnon dhe i urdhëron shteti serb”, ka thënë Kajtazi. Ai ka shtuar se institucionet kosovare duhet të krijojnë kapacitetet që të kontrollojnë atë pjesë të vendit.

(Kosova Sot Online )