Biznesmeni Bedri Rexhepi dyshohet se u vra për 30 mijë euro, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave

  • E.K /
  • 18 October 2022 - 11:01
Biznesmeni Bedri Rexhepi dyshohet se u vra për 30 mijë euro, ngrihet aktakuzë ndaj dy personave

Prokurori Armend Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi. Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje.

Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.

“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, ka deklaruar Hamiti.

Bedri Rexhepi është zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar. Një ditë më vonë, në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit u gjet vetura e tij, e braktisur.

Lidhur me zhdukjen e Bedriut, policia arrestoi Jeton Vllasaliun, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rrëmbimin e tij.

Më vonë janë arrestuar edhe vëllai dhe kunata e Vllasaliut.

Pas zhdukjes së Bedriut, vëllezërit e tij patën deklaruar se i dyshuari Jeton Vllasaliu ka qenë klient i 38-vjeçarit, pasi ky i fundit kishte në pronësi një kompani të veturave me qira.

“Ka qenë klient i vëllait, deri në kohën kur është arrestuar ka qenë me veturë të vëllait. Ka qenë i rregullt me pagesa, pak me vonesa, por ka qenë. Për këtë s’kanë pasur ndonjë problem”, pati deklaruar deklaruar Adnan Rexhepi.

Ai kishte treguar se vëllai i tij e ka pasur me vete një shumë të parave, por familja nuk e di sa kanë qenë.

“Shumë të parave ka pasur, por sasinë nuk e dimë as ne. Dyshimet janë të gjithanshme, në çdo anë dhe çdo send po dyshojmë, por s’po dimë konkret diçka hala”, kishte deklaruar ai.

(Kosova Sot Online)