Osmani i ankohet Escobarit për strukturat ilegale në veri: Vazhdojnë t’i kërcënojnë e frikësojnë serbët

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 10:58
Osmani i ankohet Escobarit për strukturat ilegale në veri: Vazhdojnë t’i kërcënojnë e frikësojnë serbët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Kosova ka qenë, dhe është palë konstruktive në dialogun me Serbinë, dhe ka gatishmëri që të rrisë angazhimin, me qëllim të intensifikimit të procesit.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Shfrytëzova rastin për të shprehur pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë edhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara”.

Sipas saj, përveç refuzimit, Serbia vazhdon “t’i mbështesë ato financiarisht”.

Sipas autoriteteve në Kosovë, Millan Radoiçiq, është një prej krerëve të strukturave ilegale në veri të Kosovës.

Ai aktualisht është në arrati.

Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, parti kryesore e serbëve në Kosovë.

Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara nën dyshimet se, së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Ajo ka përmendur se angazhimi amerikan është i pazëvendësueshëm për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe ka thënë se Kosova po punon për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

(Kosova Sot Online)