Mundësia e një konflikti në veri? Gazetari gjerman: S’mund të ndodhë, Amerika është në Kosovë

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 14:27
Mundësia e një konflikti në veri? Gazetari gjerman: S’mund të ndodhë, Amerika është në Kosovë

Gazetari gjerman i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Martens, ka dhënë një këndvështrim të gjatë për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor pas ngjarjeve që po ndodhin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe rrezikut që konflikti të zgjatohet deri në Ballkan.

Martens ka thënë se shteti i Serbisë e konsideron ushtrinë e Republikës së Kosovës si një kërcënim meqë sipas tyre, ushtria e Kosovës mund të joshet në të ardhmen për të vënë nën kontroll pjesën veriore të territorit.

“Ministria e Mbrojtjes e Serbisë pretendon se ushtria e Kosovës është një kërcënim për Serbinë, pasi në të ardhmen Prishtina mund të joshet që të vërë nën kontrollin e saj me forcë pjesën veriore të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët dhe de facto pjesë e Serbisë”, ka shkruar Martens.

Ai tutje ka prashtruar edhe pyetjen se cili do të ishte reagimi i Serbisë në rast të një veprimi të tillë nga ana e Kosovës.

 Siç Martens citon burime nga Berlini, nuk përjashtohet që Serbia t’ia mësyjë ndërhyrjes ushtarake në veri të Republikës së Kosovës.

“Si do të reagonte Serbia? “Nga këndvështrimi ynë, serbët janë pozicionuar në atë mënyrë që të mund të lëvizin (ushtarakisht) në veri nëse është e nevojshme. Ata kanë potencialin për të reaguar”, thonë burime në Berlin”, ka shtuar tutje Martens.

Megjithatë potencon tutje se një skenar i tillë s’ka të ngjarë që të ndodh përderisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë rol në Kosovë.

“Uashingtoni s’do të aprovonte ndonjë aventurë nga Prishtina. Në vend të kësaj, qëllimi duket të jetë që një ushtri e Kosovës, e lidhur ngushtë me strukturat e PfP-së, duhet të mbështesë interesat e sigurisë së NATO-s në Ballkan”, ka shkruar Martens tutje.

(Kosova Sot Online)