Mesazhi 2-minutësh i Escobarit pas takimit me Osmanin e Kurtin, askush s’u lejua të pyeste më shumë

  • E.K /
  • 19 October 2022 - 15:31
Mesazhi 2-minutësh i Escobarit pas takimit me Osmanin e Kurtin, askush s’u lejua të pyeste më shumë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron në Kosovë. Vizitat e tij në Presidencë e më pas në Kryeministri mëngjesin e sotëm u përcollën me shumë interesim nga mediat. Por, askush s’mundi të pyeste asgjë për takimet që ai i pati me presidenten Vjosa Osmani, e më pas me kryeministrin Albin Kurti.

Për të dy takimet, Escobar foli jo më shumë se dy minuta në total: një minutë pas takimit me Osmanin dhe një minutë pas takimit me Kurtin. Pa përfunduar konferencat, gazetarët u njoftuan se s’mund të bënin pyetje. I dërguari amerikan foli shumë pak dhe dialogu ishte çështja kryesore. Nga deklaratat e Osmanit dhe Kurtit u kuptua se SHBA-ja kërkon intensifikim të dialogut Kosovë – Serbi dhe mundësisht përmbyllje të këtij procesi me një marrëveshje.

Mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euro-atlantike të Kosovës, Escobar e përmendi në krye të fjalës së tij në konferencën e përbashkët për media me Osmanin. Këtë fjali nuk e mbylli pa e përmendur dialogun.

“Unë pata dëshirë që ta shpreh mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe për solidaritetin në kohë krize në Kosovë dhe për mënyrat për ta thelluar këtë partneritet, përfshirë edhe mbështetjen tonë për pjesëmarrjen e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Escobar.

Image

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe presidenrtja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë për media në Presidencë.

Diplomati amerikan u ndal të flasë edhe për forumin “Gratë, Paqja, Siguria” (WPS), i cili do të organizohet nga presidentja Vjosa Osmani, duke e cilësuar këtë si ngjarje që i kontribuon agjendës së përbashkët të demokracisë dhe lirisë.

“Jam shumë krenar që Kosova ka kontribuar shumë për agjendën tonë të përbashkët dhe mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikator i rëndësishëm se si Kosova po kontribon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë dhe të lirisë dhe e falënderoj Kosovën, ju falënderoj juve që do të jeni nikoqire e kësaj ngjarjeje gjatë kësaj jave. Ju faleminderit edhe njëherë”, tha Escobar.

Pas takimit me Kurtin, Escobar foli për implikimet që ka dialogu në rajon dhe kështu doli te rëndësia e mbështetjes së SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

“Është një partneritet i palëkundshëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin, sigurinë tuaj dhe sa është e rëndësishme të rreshtoheni me vlerat europiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin europian”, tha Escobar.

Image

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media në Qeveri

“Dhe pata dëshirë që të theksoj sërish”, shtoi Escobar, duke përsëritur se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në të gjitha aspiratat e saj euro-atlantike dhe do të shohim mundësitë për të pasur partneritet me Republikën e Kosovës për ta mundësuar një gjë të tillë”.

Në fund, ai pati një falënderim për miqësinë, partneritetin dhe pritjen nga kryeministri.

Image

Interesimi i madh i mediave në konferencën e përbashkët të të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti

Për të mërkurën, Escobar ka në plan të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, ndërsa koha e takimit nuk është bërë e ditur.

Escobar para kësaj here e kishte vizituar Kosovën më 24 gusht, bashkë me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, me kërkesën për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës në veri të vendit.

SHBA-ja dhe BE-ja e shohin urgjente nevojën e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje, në Prishtinë kërkojnë të jetë përfundimtare dhe ta përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq në Beograd duan thjesht një zgjidhje kompromisi, pa treguar se cili mund të jetë ai.

(Kosova Sot Online)